Sport

Ra në Serie B, kapiteni largohet nga skuadra pas një periudhe të gjatë


Skuadra italiane e Cagliari-it nuk arriti t’i shpëtojë rënies nga Serie A, teksa pas 19 vjetësh do të luajë në kategorinë e dytë të futbollit italian, Serie B.

Në këtë situatë, skuadra nga Sardenja do ta ketë të vështirë t’i mbajë lojtarët në klub, derisa nga ta do të ikë edhe kapiteni i tyre, Joao Pedro.

Pedro do të largohet nga skuadra pas tetë viteve, që kur u transferua nga skuadra portugeze, Estoril, në vitin 2014.

Sulmuesi që numëron një ndeshje me kombëtaren e Italisë, do të transferohet te skuadra turke, Fenerbahce.

Cagliari do të përfitojë rreth 7 milionë euro nga ky transferim, derisa Pedro pritet që më së largu deri të mërkurën të zbarkojë në Stamboll për t’i kryer testet mjekësore.

Kujtojmë që 30-vjeçari numëron në total 271 ndeshje në të gjitha garat me skuadrën nga Sardenja, prej të cilave ka shënuar 86 gola.

Interesim për sulmuesin italiano-brazilin kishte edhe skuadra e Monza-s, por turqit paraqitën ofertë më të mirë për të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore