Lajme

Qindra të arrestuar në Rusi në protestat kundër luftës


Më shumë se 600 demonstrues janë arrestuar në 21 qytete ruse, sipas grupit monitorues “OVD-Info”, pasi opozitari i burgosur Alexei Navalny u bëri thirrje rusëve të protestojnë kundër luftës në Ukrainë.

Grupi i monitorimit, duke cituar burime të medias lokale, tha se më shumë se 200 persona u arrestuan në një qytet siberian – Novosibirsk.

Navalny bëri thirrje për demonstrata në sheshet kryesore të qyteteve ruse në orën 14:00 me kohën lokale – në Moskë dhe Shën Petersburg që është 11:00 GMT.

Arrestimet masive janë bërë normë në protestat antiqeveritare në Rusi. “OVD-Info” thotë se të paktën 8 mijë protestues janë arrestuar në Rusi që nga fillimi i luftës në Ukrainë 11 ditë më parë.

Protestat e së dielës pasojnë një ditë të demonstratave globale kundër agresionit rus në Ukrainë.

Sot është dita e 11 e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Mbi 1.5 milionë ukrainas janë larguar nga vendi dhe mijëra ushtarë rusë kanë humbur jetën. Ndërkohë Ukraina vijon të rezistojë pavarësisht sulmeve ruse.

Kombet e Bashkuara raportojnë se janë vrarë 351 civilë dhe 7 mijë e 70 të lënduar në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore