Shqipëria

Qeveria shqiptare telefonon Erdogan-in për të shprehur ngushëllimet për tërmetin, në prag të mbylljes së operacioneve të kërkim-shpëtimit


Mbrëmja e së dielës pritet të shohë edhe përmbylljen e operacioneve të ndryshme të kërkim-shpëtimit në Turqi, pas tërmetit 7.8 të shkallës Rihter, i cili goditi mes kufirit turko-sirian, më 6 shkurt.

Qeveria shqiptare ka telefonuar presidentin turk Recep Tayyip Erdogan pikërisht për të shprehur ngushëllimet e tyre për tërmetin.

Lajmi u bë i ditur nga Presidenca e Republikës së Turqisë, duke cituar statusin në median sociale “Twitter”.

“Udhëheqësit e Bullgarisë, Maltës dhe Shqipërisë, si dhe ish-anëtari i Këshillit Presidencial të Bosnjë-Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç, telefonuan Presidentin Recep Tayyip Erdogan
në telefon për të shprehur ngushëllimet e tyre për tërmetin”, shkruhet në faqen zyrtare.

Pritet që këto të jenë orët e fundit të kërkimeve për të mbijetuar, kur do të bëhet me dije edhe bilanci përfundimtar, i cili është tragjik në çdo dimension për turqit.

Situatë tepër e rëndë është edhe ajo në Siri, ku 5 mijë e 700 persona janë raportuar se kanë humbur jetën nga tërmeti.

Por, ky bilanc, prej disa ditësh nuk ndryshon dhe nuk bëhet me dije nëse operacionet në rajonet veriore të Sirisë vijojnë ende apo jo.

Kështu, për dy javë të plota, mbi 100 mijë ekspertë të kërkim-shpëtimit, përfshi edhe ata nga 95 vende të botës, të cilët erdhën menjëherë në ndihmë për Turqinë, u angazhuan në misione në vende të ndryshme.

Të prekur ndërkaq nga tërmeti, vetëm në Turqi janë 13.5 milionë njerëz, të cilët jetojnë në një rreze prej 450 kilometrash nga epiqendra, duke përfshirë rajone të mëdha si Adana, apo Diyarbakir e Hatay.

Ndihmat në Siri ndërkaq, kanë qenë problem madhor, pasi janë hasur shumë vështirësi në dërgimin e tyre, prej qëndrimit të regjimit të presidentit sirian, Bashar Al-Assad, për të mos i ndihmuar territoret e zotëruara nga rebelët.

Këto të fundit janë ato më të goditurat megjithatë.

Ndihmat e para drejt Sirisë shkuan me tepër vonesë dhe një rritje e numrit të viktimave pritet të ketë edhe atje.

Një solidarizim i madh ka ardhur edhe nga vetë banorët e shteteve respektive, të cilët pa ngurrim kanë vrapuar për të dhuruar veshje, ushqim, apo edhe gjak për të mbijetuarit, të cilët tashmë duhet të presin edhe një kalvar peripecishë, për t’iu kthyer normalitetit.

Nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, është premtuar se të gjitha lagjet e shkatërruara do të rimëkëmben me standardet më të larta.

Arrestimet ndërkohë, nuk kanë munguar ndaj ndërtuesve, pallatet e të cilëve janë shembur pas tërmetit dhe kritikat, edhe ndaj Qeverisë, kanë qenë jo të pakta, për lejimin e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore