Kosova

Qeveria shpronëson pronat në Leposaviq e Zubin Potok, reagon Serbia


Në mbledhjen e 207-të të Qeverisë së Kosovës e mbajtur në mënyrë elektronike të premten është miratuar vendimi për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme në Komunën e Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Ky vendim, sipas një komunikate për media e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, është marrë në pajtim me aktgjykimet e plotfuqishme të gjykatave të Kosovës.

Qeveria e Kosovës shpronësimin e këtyre tokave në dy komuna të banuara me shumicë serbe mori me arsyetimin se aty janë planifikuar “projekte infrastrukturore me interes publik”, por pa specifikuar se për çfarë projektesh bëhet fjalë.

Lidhur me këtë vendim të premten ka reaguar e ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, duke e quajtur këtë vendim si të “njëanshëm” dhe të “paligjshëm”.

Ky vendim, siç pretendon kjo e ashtuquajtura zyre, dëmton komunitetin serb në Kosovë.

“Ky është sulm i ri ndaj pronës private të serbëve”.

E ashtuquajtura zyre gjithashtu ka pretenduar se një lëvizje e tillë është në kundërshtim me “aktet juridike ndërkombëtare madje edhe me vendimet e gjykatave të Kosovës”.

Bashkimi Evropian, përmes një komunikate për media, në maj të vitit të kaluar kishte reaguar në lidhje me shpronësimet që po bëhen në komunat Veriore të Kosovës, gjegjësisht në Komunën e Leposaviqit dhe Zubin Potokut, nga Qeveria.

Shërbimi Evropian i Politikës së Jashtme përmes kësaj deklarate ka kërkuar nga autoritetet kosovare që të përmbahen rreptësishtë procedurave ligjore kur fjala bie për shpronësimin e pronës së paluajtshme.

“Kosova duhet të bëjë të pamundurën për të siguruar që të ndiqet procesi i rregullt dhe se të drejtat pronësore të pronarëve dhe bartësve të interesit të prekur të respektohen plotësisht”, thuhej në reagimin e tyre

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore