Kosova

Qeveria provoi që përmes ligjit të ndërhynte në lirinë e tregut me arbitraritet – Vendimi i Kushtetueses i shpjeguar në detaje


Ilustrim: Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka provuar që përmes ligjit për çmimet tavan, apo i njohur zyrtarisht si “Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg”, që të ndërhyjë arbitrarisht në lirinë e tregut, në konkurrencën e lirë, në rregullimin e tregut, në pronën private dhe në të drejtat dhe liritë themelore të personave juridikë.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se ligji bie ndesh me tri nene të Kushtetutës së Kosovës, prandaj Ligji është “shpallur i pavlefshëm në tërësinë e tij”.

Ligji në fjalë, i cili tashmë është antikushtetues, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetues, ka plotë katër nene jo-kushtetuese dhe ka shkelje në 11 paragrafë të katër neneve të ligjit të sponsorizuar nga Qeveria.

Çfarë thotë vendimi i Kushtetueses?

Ligji anti-kushtetues, sipas Gjykatës Kushtetuese, në rend të parë ka cenuar parimet kushtetuese të ekonomisë të ekonomisë së lirë të tregut.

Sipas nenit 119 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është detyrë e autoriteteve shtetërore që të sigurojnë një mjedis të favorshëm ligjor për ekonominë e tregut, lirinë e aktivitetit ekonomik dhe sigurinë e pronës publike e private, dhe gjithashtu që të mbrojnë konsumatorin në pajtim me ligjin.

Kësisoj, ky ligj anti-kushtetues i propozuar nga Qeveria e Kosovës, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ka thyer këtë nen meqë ekzekutivi ka tentuar të kufizojë konkurrencën e lirë përmes “vendosjes ose abuzimit të pozitës dominuese”.

Qeveria e Kosovës, sipas vendimit të Kushtetueses, duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës mund të kufizojë konkurrencën e lirë në mënyrë eksplicite vetëm duke ndryshuar Ligjin.

Pra, sipas këtij vendimi, Kuvendi i Kosovës, rrjedhimisht deputetët, mund të kufizojnë konkurrencën e lirë duke themeluar “Organe të Pavarura” për rregullimin e tregut atëherë kur vetë tregu “nuk mundet që në masë të mjaftueshme të mbrojë interesin publik”.

Kuvendi i Kosovës, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ka detyrime në kontekstin e ekonomisë së lirë të tregut që burojnë edhe nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimi – kontrata të cilën Qeveria e Kosovës e ka lidhur me Bashkimit Evropian.

“Sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, ndërhyrjet e tilla në lirinë e ekonomisë së tregut duhet të jenë në mënyrë shprehimore të domosdoshme dhe nuk mund të përbëjnë në asnjë rrethanë diskriminim arbitrar ose kufizim të tërthortë në tregtinë e lirë”, argumenton më tej vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Ligji tashmë antikushtetues i Qeverisë së Kosovës, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ka pasur parregullsi edhe në argumentimin se pse Ligji në fjalë është i domosdoshëm për rregullimin e tregut.

“Rrethanat e përcaktuara përmes Ligjit të kontestuar, në të cilat liria e veprimtarisë ekonomike të operatorëve ekonomik mund të kufizohet përmes masave të përkohshme mbrojtëse, përkatësisht (i) mungesa e papritur apo të vazhdueshme të produkteve themelore; (ii) ngritja e papritur apo e menjëhershme e çmimeve të produkteve themelore; (iii) mospërshtatja e çmimeve vendore me lëvizje të mëdha të çmimeve në tregun botëror; dhe (iv) dallimi i pajustifikueshëm i çmimeve vendore nga çmimet në vendet fqinje”, shpjegon Kushtetuesja, janë rrethana në të cilat tregu jo-detyrimisht mund të rregullojë vetveten pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe të cilat, bazuar në Kushtetutën e Republikën e Kosovës, duhet të jenë “Organe të Pavarura”.

Pra sipas Gjykatës Kushtetuese, Qeveria e Kosovës do të duhej të krijonte një “Organ të Pavarur” i cili do të rregullonte tregun.

Për këtë Kushtetuesja ka dhënë edhe shembuj nga shtete të tjera të cilët kanë tentuar të rregullojnë çmimet duke përcaktuar mekanizma të ndryshme si Rregullatorë e Komisione të Veçanta.

“Pavarësia e mekanizmave vendimmarrës në kontekst të kufizimit të lirisë së veprimtarisë ekonomike të operatorëve ekonomik në rrethana të destabilizimit të tregut, është saktësuar edhe në aktet që i janë nënshtruar vlerësimit të kushtetutshmërisë së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, përkundër faktit që për dallim nga Kushtetuta e Kosovës, ajo e Shqipërisë nuk përmban detyrimin kushtetues të themelimit të ‘organeve të pavarura’ për këtë qëllim. Përmes dy Aktgjykimeve përkatëse, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, ka shfuqizuar në tërësi dhe pjesërisht si në kundërshtim me Kushtetutën aktet e kontestuara”.

Ndërhyrja e Qeverisë së Kosovës në ekonominë e lirë të tregut përmes masave të përkohshme mbrojtëse në rrethana të destabilizimit të tregut, sipas Gjykatës Kushtetuese, rregullohet edhe me dy ligje tjera të aplikueshme në Republikën e Kosovës, Ligji për Rezervat Shtetërore të Mallrave dhe Ligji për Tregtinë e Brendshme.

“Ligji i kontestuar nuk amendamenton dhe as nuk shfuqizon dispozitat relevante të asnjërit nga dy ligjet e lartcekura”, ka vlerësuar Gjykata Kushtetuese.

Përgjegjëse për të ndërhyrë në treg në mbrojtje të konsumatorit, në rast “të çrregullimit të tregut” është Ministria e Industrisë, përmes dy ligjeve të ndryshme, përkatësisht Ligjit për Rezervat Shtetërore dhe Ligjit tashmë antikushtetues.

Prandaj Gjykata Kushtetuese vlerëson se dy këto ligje ndeshe në përcaktimin e ndarjes së barrës në mes të operatorit ekonomik dhe autoritet publik, përkatësisht shtetit, duke mos i shërbyer parimit të sigurisë juridike.

Ligji anti-kushtetues duke mos i shërbyer parimit të sigurisë juridike pamundëson operatorëve ekonomik, që të rregullojnë sjelljen e tyre komfor ligjit të aplikueshëm në kuadër të një ekonomie të tregut me konkurrencë të lirë.

“Aktgjykimi vë theks në faktin që, një ndër parimet më esenciale të sundimit të ligjit si vlerë e Republikës së Kosovës, është parimi i sigurisë juridike dhe i njëjti, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, por edhe të Gjykatës, kërkon, në mes tjerash, që rregullat/ligjet e aplikueshme të jenë të qarta dhe të sakta dhe të synojnë të sigurojnë që situatat dhe marrëdhëniet juridike të mbeten të parashikueshme dhe që për këtë qëllim, normat ligjore duhet të formulohet me saktësi dhe qartësi të mjaftueshme”.

Kësisoj Qeveria e Kosovës, gjatë hartimit të ligjeve duhet të marr parasysh edhe këto parime bazë të sundimit të ligjit, si pjesë të rëndësishme të sistemit kushtetues të Republikës së Kosovës, gjë që nuk ka ndodhur me Ligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg.

Ligji i sponzorizuar nga Qeveria e Kosovës e që Gjykata Kushtetuese e shpalli si të pavlefshëm për shkak të shkeljeve kushtetuese kërkonte që të rregullonte caktimin e masave të përkohshme mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët, në kohë të paraqitjes së rasteve të veçanta të destabilizimit në treg.

Gjithashtu, synohej që përmes këtij ligji të përcaktohet edhe mënyra e zbatimit të masave ndaj autoriteteve dhe operatorëve ekonomikë, me idenë që eliminohen efektet e rritjes së çmimeve si dhe mungesa e produkteve themelore në treg.

Ligji parashihte edhe shkaqet në kuadër të të cilave mund të vendosen masat e përkohshme mbrojtëse, duke mundësuar arbitrarisht që të përcaktohet kufizimi i sasisë që i shitet konsumatorit brenda periudhës së caktuar dhe të ndalohet largimi nga shitja e produktit.

Po ashtu, ligji kërkonte të bëhet caktimi i marzhës tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë e të tjera që kishin të bënin me disa detyrime që do ia mundësonin qeverisë mbi operatorët ekonomikë.

Opozita e kishte dërguar ligjin në Gjykatën Kushtetuese, sepse pretendonin se Ligji i kontestuar përbën ndërhyrje në ekonominë e lirë të tregut, përçka vendimi i Gjykatës tashmë iu dha të drejtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore