Shqipëria

Qeveria nuk mposhtet me retorikë boshe – kemi 3 prioritete për aksionin opozitar, thotë Alibeaj


Me nisjen e sesionit të ri parlamentar, grupi i Partisë Demokratike ka mbajtur këtë të hënë një deklaratë për prioritetet e kësaj partie.

Deputeti demokrat, Ekelejd Alibeaj deklaroi se është koha që opozita të fokusohet tek problemet e qytetarëve.

“Propozojmë prioritete tona mbi tre shtylla: Reforma legjislative, mbrojtja interesave të qytetarëve dhe kontrolli parlamentar”.

Në përfundim të mbledhjes me deputetët që e rikonfirmuan si kryetar grupi, Alibeaj bëri me dije se do të çojë në Gjykatën Kushtetuese bordet për rregullimin e çmimeve.

Ndër të tjera ai tha se “ishim në një konflikt me veten”.

“Është momenti që të fokusohemi vetëm te problemet e qytetarëve. Zgjidhja është rruga për t’i bindur shqiptarët që zgjidhja jonë është e duhura. Arroganca e qeverisë mposhtet me ofertë, jo retorikë boshe, me distancimi real, jo me selektivitetin dhe lojëra interesash”.

Në prezantimin e reformës legjislative, Alibeaj theksoi se reforma Zgjedhore dhe Reformën Administrativo-Territoriale janë thelbësore për mbrojtjen e interesit të qytetarëve.

“Garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, dhe një ndarje administrative që i përputhet nevojës për shërbime ndaj qytetarëve, janë parakushte që pushteti i ri lokal të jetë produkt i vullnetit të qytetarëve dhe në 4 vitet e ardhshme t’i përgjigjet vetëm interesit të qytetarëve”.

Deputeti demokrat ravijëzoi se reforma për dekomunistizimin e shoqërisë do të jetë gjithashtu në fokus.

“Katër iniciativat ligjore të Grupit Parlamentar të PD, si hapja e plotë e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit; ndalimi i simboleve të komunizmit; lustracioni i plotë i jetës politike dhe publike; si dhe krijimi i muzeve të kujtesës kolektive, janë nisma që do të jenë prioritet i yni”.

Gjithashtu, “reformat Antikorrupsion dhe lufta ndaj Krimit të Organizuar”, ka nevojë urgjente për ndërhyrje.

“Ne do të mbështesim çdo propozim që e forcon SPAK, që çon përpara zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe shmang kapjen politike të drejtësisë”.

Ndërsa, mbrojtja e interesit të qytetarëve, sipas tij do të realizohet nëpërmjet paketës ekonomike dhe energjike, paketës së interesit kombëtar.

“Grupi Parlamentar i PD në përmbushje të përgjegjësisë së tij për të ushtruar kontroll parlamentar mbi aferat e Qeverisë, do të nisë sesionin e ri parlamentar duke pasur parasysh suksesin e merituar të Komisionit të Inceneratorëve”.

Alibeaj në krye të grupit parlamentar të PD-së… prapë

Alibeaj në krye të grupit parlamentar të PD-së… prapë

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore