Lajme

Qeveria nis procedurat për blerjen e objekteve për ambasada në SHBA dhe Gjermani


Qeveria e Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për fillimin e procedurave për blerjen e objektit për nevoja të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin si dhe blerjen e objektit rezidencial, në Washington D. C., në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën është miratuar vendimi për fillimin e procedurave për blerjen e objektit për nevoja të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin, Republika Federale e Gjermanisë, si dhe blerjen e objektit rezidencial, në Washington D. C., në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftim.

Më 9 mars të 2022, Qeveria kishte marrë vendim për të filluar procedurat për blerjen e objekteve të ambasadave të Republikës së Kosovës në Uashington DC në SHBA dhe në Londër në Mbretërinë e Bashkuar.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kishte thënë se shuma e aprovuar është mbi 8 milionë euro.

“Ky propozim bëhet duke u bazuar në ligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2022 dhe planit të shpenzimeve, përmes të cilit është aprovuar shuma mbi 8 milionë. Miratimi i këtij propozimi do t’i hap rrugë fillimit të procedurave të blerjes”, tha Gërvalla.

Ajo kishte thënë se blerja e këtyre dy objekteve do të bëhet në 2022.

“Jemi përcaktuar fillimisht për dy objekte për shkak se ato mendojmë që mund ti mbulojmë me shumën e caktuar në buxhetin e këtij viti. Një plan më i detajuar se kur dhe si do të bëhet blerja e objekteve do të vijë së shpejti nga MPJD”, tha ajo në konferencën pas mbledhjes së qeverisë”.

“Shefja e diplomacisë nuk dha informacione nëse do të blihen objekte për ambasada edhe në ndonjë vend tjetër. Sot nuk  jam në gjendje të flas për shtete të tjera, kemi kërkesa, kemi oferta do të përqendrohemi në ato që mund ti mbulojmë me buxhet dhe në ato ku konsiderojmë që Kosova ka shkuar për të qëndruar përgjithmonë dhe nuk janë misione të përkohshme”.

Në buxhetin për vitin 2022 për ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ishte paraparë shuma 8 milion e 927 mijë e 721 euro për blerje të objekteve të ambasadave në këtë vit fiskal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore