Kosova

Qeveria Kurti histori e re e mundësive, thotë Bislimi


Besnik Bislimi

Për zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi, Kosova është shndërruar në një histori të re mundësish prej se në qeveri ka ardhur Lëvizja Vetëvendosje.

Ani pse vendi po përballet me një krizë të thellë ekonomike, kjo për shkak të inflacionit të lartë, për Bislimin ka tregues ekonomikë dhe socialë që premtojnë gjëra të mira për të ardhmen e Kosovës.

“Ne po përpiqemi të bindim të gjithë investitorët potencial që aktualisht janë në kërkim të tregjeve të reja, opsioneve të reja, të cilët po zhvendosen nga Azia Lindore ose Rusia. Narrative e një vendi me tensione, madhësi të pamjaftueshme tregu dhe fuqi blerëse të pamjaftueshme, është një histori e së shkuarës”, ka tregua Bislimi në një intervistë për revistën “Investment Monitor”.

Për ish-ministrin e Financave, atë që ofron Kosova për investitorët e huaj potencial nuk ofron askush në Ballkanin Perëndimor.

“Ajo që ne ofrojmë është e ndryshme nga pothuajse të gjitha vendet e rajonit. Bizneset që investojnë në Kosovë do të kenë zero rrezik të kursit të këmbimit pasi që ne përdorim euron”, thotë Bislimi.

Sipas Bislimit, Kosova është në pozitë ideale për të përfituar nga tendencat si ikja e kapitalit nga Rusia për shkak të luftës në Ukrainë dhe afrimi në Evropë, për shkak të numrit të madh të sektorëve me aftësi për t’u rritur dhe fuqisë së saj të re punëtore.

Bislimi thotë se rinia është aseti më i rëndësishëm që ka Kosova dhe fokusi i qeverisë është që të përqendrojë përpjekjet e saj në këtë sektor.

Për Bislimin Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, do të ndryshojë narrativen e procesit të privatizimit.

“Fillimisht do të forcojmë kapacitetet e kompanive, pastaj do t’i bëjmë ato të konkurruese, në mënyrë që kur bëhet privatizimi kompanitë të tërheqin vetëm investitorë serioz që synojnë të zgjerojnë më tej kapacitetet e tyre”, shpjegon më tej Bislimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore