Lajme

Qeveria izraelite miraton formimin e një “garde kombëtare”


Qeveria e Izraelit miratoi të dielën një vendim për të formuar një Gardë Kombëtare, thanë zyrtarët, me kundërshtarët që kishin frikë se ajo do të funksiononte si një “milici private” nën ministrin e Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

Kjo strukturë do të merrej me “skenarët e emergjencës, krimet nacionaliste, terrorin dhe forcimin e sovranitetit” të shtetit hebre, thuhet në një deklaratë nga zyra e Ben-Gvir.

Duke funksionuar nën ministrinë e tij, ajo do të përbëhet nga 1 mijë e 800 anëtarë të cilët do t’u “rikthejnë sigurinë” izraelitëve, tha Itamar Ben-Gvir, sipas kësaj deklarate nga zyra e tij.

Më shumë detaje mbi objektivat dhe shtrirjen e veprimit të kësaj garde do të vendosen nga një komision në dy muajt e ardhshëm, thuhet në deklaratë.

Ky komitet — i përbërë nga anëtarë të “agjencive izraelite të sigurisë ” – do të vendosë nëse Itamar Ben-Gvir, apo dikush tjetër, do të kryesojë gardën, tha zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Krijimi i një garde kombëtare u kërkua nga Itamar Ben-Gvir në këmbim të marrëveshjes së tij për të ngrirë një projekt të diskutueshëm të reformës gjyqësore, i cili ndezi një lëvizje të madhe proteste dhe një grevë që paralizoi të gjithë vendin të hënën.

Udhëheqësi i opozitës Yair Lapid kritikoi vendimin të dielën, duke thënë se qeveria po shkurtonte buxhetin e të gjitha ministrive të tjera “për të financuar milicinë private të Ben-Gvir”, duke e quajtur atë “një fantazi ekstremiste të njerëzve delirantë”.

“Është tronditëse të mendosh se një milici private do të trajnohej nga një ministër që na vë në siklet me mungesën e mirëkuptimit dhe që është shpallur fajtor për mbështetjen e një grupi terrorist dhe nxitjen e racizmit është tronditëse”, shkroi në Twitter ish-ministri i Sigurisë Publike Omer Bar Lev.

Itamar Ben-Gvir u akuzua më shumë se 50 herë si i ri për nxitje të dhunës ose gjuhës së urrejtjes dhe u dënua në vitin 2007 për mbështetje të një grupi terrorist dhe nxitje të racizmit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore