Lajme

Qeveria e Malit të Zi humb karakterin pro-evropian nëse vihet në pikëpyetje pavarësia e Kosovës, thotë deputeti gjerman


Josip Juratoviç

Kryetari i Komisionit për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin e Gjermanisë (Bundestag), Josip Juratoviç, ka thënë se formimi i Qeverisë së Malit të Zi me mbështetjen e koalicionit “Për të Ardhmen e Malit të Zi (ZBCG)”, do të çonte në mënyrë të pashmangshme në bllokimin e çdo procesi që çon në stabilizimin thelbësor të rrugës evropiane të Malit të Zi.

Në një intervistë për agjencinë malazeze të lajmeve “Mina“, ai ka theksuar se procesi i formimit të qeverisë së re malazeze është jashtëzakonisht shqetësuese për partnerët evropianë, derisa ka shtuar se nëse vihet në pikëpyetje dhe diskutohet (ç)njohja e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi, atëherë ekzekutivi malazez humb karakterin pro-evropian.

“Nëse shumica e thjeshtë e deputetëve që formojnë qeverinë përfshin ata që nuk mendojnë se çështja e pavarësisë së Kosovës është një punë e përfunduar ose nuk e shohin si të tillë agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, nuk e njohin gjenocidin në Srebrenicë ose nuk e shohin NATO-n si një familje të cilës i përkasin, nuk bëhet fjalë për asnjë karakter pro-evropian të qeverisë”.

Milojko Spajiç, fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit me Lëvizjen Evropa Tani (PES) dhe rrugës për të marrë drejtimin e qeverisë së 44-të të Malit të Zi, ka paralajmëruar se ekzekutivi do të formohet pa koalicionin ZBCG, i cili përbëhet nga ish-përfaqësuesit e Frontit Demokratik (DF) pro-serb e pro-rus. Por kjo ka mbetur vetëm dilemë deri tani.

Negociatat për përbërjen e ekzekutivit malazez dominohen nga pyetja nëse Spajiçi – megjithatë – do të formojë kabinetin e tij qeveritar me Demokracinë e Re Serbe (NSD) dhe Partinë Popullore Demokratike (DNP), të cilët angazhohen për heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, anulimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe tërheqjen nga NATO-ja.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) presin që ekzekutivi i ri malazez në krye me Spajiçin të shpallë të mbyllur çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, forcimin e partneritetit mes Malit të Zi dhe bllokut ushtarak të NATO-s dhe sanksionet e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Rusisë për agresionin në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore