Lajme

Qeveria e Kosovës po punon për blerjen e dronëve ushtarakë Bayraktar, thotë ministri për agjencinë turke të lajmeve


Foto nga Albanian Post, Fikrim Damka

Ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës dhe kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damka, ka thënë në një intervistë për agjencinë turke të lajmeve Anadolu se Kosova po punon në vazhdimësi që të blejë dronë ushtarakë Bayraktar nga Turqia.

“Çështja e Bayraktarëve sigurisht që është edhe në agjendën tonë. Shteti ynë çdo herë bën studime për këtë dhe janë bërë edhe vizita. Presidentja jonë dhe Ministri i Mbrojtjes ka parë dronët edhe në terren”, deklaroi Damka.

Ai tha se e njeh edhe faktin se blerja e tyre është “një proces afatgjatë” pasi aktualisht “çdo shtet dëshiron të ketë dronë të tillë në arsenalin e vetë ushtarak”.

Ministri është ngutur të sqaroi se “të gjitha llojet e blerjeve të armëve nga Kosova do të përdoren vetëm për mbrojtjen e vendit”.

Fikrim Damka, përfaqësues i komunitetit turk në Qeverinë e Kosovës, që shkollimin e ka kryer në universitet në Turqi në kuadër të “Projektit të Madh Studentor” të iniciuar nga Turqia në vitin 1992, i ka thënë agjencisë se “Fakti që shkova në universitet në Turqi luajti një rol të rëndësishëm në ardhjen time në ministri”.

Damka ka deklaruar edhe se Turqia ka një rol shumë të rëndësishëm në Ballkan dhe se po luan pjesën e vet për stabilitetin në rajon dhe veçanërisht në zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë, sidomos tash pas tensioneve në Veri.

“Është një deklaratë e bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme, e cila vëzhgon ngjarjet në çdo moment dhe është në dialog si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë. Ka një dialog dhe Turqia po jep kontributin e duhur në këtë drejtim. Mund të shohim se si Ambasada dhe institucionet e tjera po bëjnë përpjekje për të vendosur paqen në veri”, deklaroi ministri i Kosovës.

Duke iu referuar tensionit në rritje në veri të Kosovës gjatë ditëve të fundit, Damka theksoi se po bëjnë atë që është e nevojshme që qytetarët  që ata të marrin shërbime që kanë të bëjnë me jetën e përditshme.

“Gjatë kësaj kohe Serbia duhet të vendoset në tryezën e dialogut dhe duhet të arrihet një zgjidhje përfundimtare. Kosova nuk bën lëvizje që e përshkallëzojnë tensionin”.

Sa për heqjen e barrikadave, ai deklaroi se qeveria është në bashkëpunim me Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR), NATO-n, BE-në dhe SHBA-në.

Damka po ashtu ka thënë se kërkesa e Serbisë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është e papranueshme për Kosovën.

Bayraktar

Çfarë janë dronët Bayraktar?

Të lehtë, ekonomikë dhe të manovrueshëm nga distanca.

Bayraktar janë shndërruar në sinonim të suksesit në betejë, pas manovrimeve efikase të ushtrisë ukrainase kundrejt caqeve ruse.

Lufta në Vietnam, protagonist pati Kallashnikovin, të njohur shkurtimisht si AK-47.

Lufta në Afganistan pati Stinger-in, predhën e famshme kundërajrore, të cilën mund ta përdorte çdokush.

Kurse, lufta në Ukrainë, protagonist deri tani, ka pikërisht dronët ushtarakë turq Bayraktar.

Ato, Ukraina i ka blerë nga Ankaraja, pikërisht për t’u mbrojtur nga agresioni i Vladimir Putinit, i cili e mori vendimin radikal më 24 shkurt.

Nëse edhe vetëm gjysma e vrasjeve që Kievi pretendon se i ka shkaktuar Ushtrisë ruse (rreth 12 mijë), e gjithë merita – ose të paktën pjesa kryesore e tyre – është e Bayraktar-ëve.

Falë strukturës së tyre, ato mund të kalojnë çdo linjë mbrojtjeje të rusëve dhe të godasin pikërisht aty ku dëshirohet.

Synimi kryesor deri tani, duket se kanë qenë kamionët e logjistikës, transportuesit, cisternat e ndryshme, apo edhe rrugët e komunikimit.

Ai, teknologjikisht nuk është shumë i avancuar, por efektshmëria që ka e bën të shkëlqeje.

I njohur ndryshe si BT2, Bayraktari është një dron bombardues.

Operatori, i cili e drejton, është në distancë dhe jeta nuk i cenohet. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se ai rri tërësisht jashtë luftës.

Në terma konkretë, me aq sa është vërtetuar nga luftëra apo aksione të mëparshme me Bayraktar-ët, në Etiopi ka një rast kur me një predhë të vetme të dalë nga ai, u vranë 53 persona.

Droni është “i shkathët”, i vogël, ekonomik, mbi të gjitha, letal!

Frenimin e avancimit të Ushtrisë ruse në territorin ukrainas, duhet t’ia dinë atij për falë.

Ai është aq praktik, sa mund të ngrihet në fluturim edhe nga një rrugë e thjeshtë. Kamerat e tij mundësojnë fushëpamje të gjerë.

Një aspekt tjetër interesant, është fakti se ato, i prodhon kompania e dhëndrit të presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Debutimin në fushëbetejë e ka pasur në luftën kundër ISIS-it në Siri. Më pas, ndaj forcave të Bashaar al-Assad.

Betejat e radhës të Bayraktar-ëve u zhvilluan në Libi. Më tej, në konfliktin në Nagorno-Karabakh, ku i dha fitoren Azerbajxhanit kundrejt Armenisë.

Në Etiopi, shpëtoi Qeverinë nga rrëzimi kundër rebelëve në Tigray.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore