Lajme

Qatargate: Eva Kaili “nuk do të kthehet kurrë” në Greqi pa iu njohur pafajësia


Ish zëvendës presidentja greke e Parlamentit Evropian, Eva Kaili, e dyshuar për përfshirje në çështjen e dyshuar të korrupsionit ‘Qatargate’, ka thënë për shtypin se nuk do të kthehet në vendin e saj derisa të mos njihet ‘pafajësia’ e saj.

“Nëse nuk arrij të bind drejtësinë belge për pafajësinë time, nuk do të kthehem më në vendin tim të origjinës”, siguroi socialistja e zgjedhur në edicionin e fundjavës të gazetës greke To Vima.

Eva Kaili dyshohet se ka ndërhyrë për disa vite në favor të fuqive të huaja, përfshirë Qatar-in në vendimet e Parlamentit Europian, kundrejt pagesave të parave. Ajo pretendon pafajësinë e saj.

Eurodeputetja përjetoi katër muaj paraburgim parandalues në Belgjikë përpara se të lirohej me një byzylyk elektronik të premten.

Ajo u hoq nga detyra e saj si zëvendës presidente e Parlamentit Evropian në mes të dhjetorit pas hapjes së një hetimi nga gjykatat belge.

“Në dhjetor të vitit 2022, kur u informova nga mediat për akuzat ndaj partnerit tim dhe babait të vajzës sime, e gjithë bota ime u shemb”, i rrëfen gazetës greke Eva Kaili.

Shoqëruesi i Eva Kaili-t, Francesco Giorgi, asistent parlamentar, ishte pjesë e valës së parë të personave të arrestuar më 9 dhjetor në Bruksel.

Kohë kur hetuesit morën në dorë 1.5 milionë euro para të gatshme të shpërndara në çanta apo valixhe.

“Kanë kaluar kohët kur mendoja t’i jepja fund kësaj torture (…) por mendimi i vajzës sime më mbështeti”, shton eurodeputetja 44-vjeçare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore