Kosova

Pushteti në Serbi akuzon mediat e opozitës se “po punojnë me Albin Kurtin kundër Serbisë dhe Vuçiç-it”


Aleksander Vucic

“Mediat e Bashkuara”, një grup i mediave opozitare në Serbi është shprehur me shqetësim për fushatën që mediat e pushtetit dhe deputetët e ministrat e regjimit të Aleksandër Vuçiç-it kanë nisur kundrejt mediave të pavarura.

Mbrëmë TV Pink, media e afërt me qeverinë serbe, “ka filluar një nga fushatat më drastike kundër gazetarëve të mediave tona”..

Fushata ndërlidhet kryesisht me situatën në Veri, ku pushteti i paraqet mediat opozitare si media që punojnë për kryeministrin Albin Kurti.

“Kjo paraqet një kërcënim serioz për sigurinë e të gjithë punonjësve në kompani, prandaj është i nevojshëm reagimi urgjent i organeve kompetente shtetërore”, thuhet në reagim.

“Në një program special të televizionit Pink më 25 dhjetor, në disa raste deputeti i Partisë Progresive Serbe, Vladimir Gjukanoviç, si dhe redaktorët e tabloideve të regjimit, Dragan J. Vuçiçeviç dhe Sasha Milovanoviç, shënuan si objektiv gazetarët e ‘Mediave të Bashkuara’, duke lënë të kuptohet se ‘mediat luksemburgase’ punojnë në bashkëpunim me Qeverinë e Prishtinës për të rrezikuar sigurinë e serbëve në Kosovë. Si arsye për pretendimet e tilla të rrezikshme, ata deklaruan se këto media nuk kanë raportuar për ‘luftimet e armatosura’ në Zubin Potok, por kanë pritur udhëzime nga Prishtina”, thuhet në reagimin sqarues.

“Këto akuza janë krejtësisht të pabaza dhe paraqesin një përpjekje për të diskredituar gazetarët dhe mediat që punojnë brenda Medias së Bashkuar dhe etiketimin e tyre si armiq të popullit”, pohojnë mediat opozitare që iu bashkuan reagimit.

“Duke qenë se insinuata për tradhtinë disa orëshe në televizion me mbulim kombëtar u hodhën nga deputeti dhe kryeredaktorët e tabloideve të regjimit, këtë e shohim si një presion të rëndë për punën normale dhe profesionale të medias sonë dhe një kërcënim drastik për sigurinë. Nuk është hera e parë që gazetarët tentojnë t’i përfshinë në konflikte politike, por pas shfaqjes në TV Pink, ajo mori një dimension të ri, që të kujton konfrontimin me mediat e pavarura në vitet 1990, kur gazetarët u vranë në Serbi”.

“U bëjmë thirrje institucioneve kompetente që të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar mbrojtjen adekuate të gazetarëve dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të tyre. Policia dhe organet e tjera shtetërore janë përgjegjëse për sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe siguria e gazetarëve tanë është përgjegjësi e tyre”, thuhet në reagim.

“Jemi dëshmitarë të fushatave kundër medias së lirë që nisin sa herë që pushteti nuk i pëlqen një temë apo çështje për të cilën ata janë kritikë për të raportuar”.

Si pasojë e një sjelljeje të tillë, kërcënimet që marrin çdo ditë e më shumë gazetarët e N1, Nova dhe Danas janë gjithnjë e më të rënda dhe të shpeshta. Disa prej tyre janë edhe kërcënime me vdekje.

“Prandaj është e nevojshme që opinioni të dënojë unanimisht retorikën që dëgjuam mbrëmë nga Pink TV, sepse patëm rastin të shohim rezultatet e fushatave të ngjashme të zhvilluara në atë TV në të kaluarën”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore