Lajme

Pupovci: Viti i ri shkollor i mundur nëse vaksinohen mësimdhënësit


Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, ka thënë në konferencë për media se tashmë kanë hartuar draft kalendarin për fillimin e vitit të ri shkollor, duke shtuar se këtë vit do të përdoren tekstet alternative.

“Regjistrimi i nxënësve në shkolla të dhjeta ka përfunduar dhe afati i dytë mbyllet me 23 gusht. Qeveria ka ndarë buxhetin për tekste shkollore. Në këtë vit do të përdoren tekste alternative. Gjithashtu do të shpallet lista e teksteve shkollore. Testi i arritshëmërisë në Kamenicë do të mbahet me 3 gusht”, u shpreh Pupovci.

Ai tha gjithashtu se pret që të gjithë mësimdhënësit të vaksinohet.

“Nuk ekziston ligj që e obligon dikë të vaksinohet. Ftoj mësimdhënësit të vaksinohen në mënyrë që të bëjnë të mundur fillimin e vitit të ri shkollor”.

Ndërkaq sqaroi se ka filluar aplikimi për studimet bachelor dhe master.

“Ka filluar puna për aplikimin e studentëve për semestër për bachelor dhe master. Do të ketë lehtësime edhe për studentët e doktoratës”, deklaroi Pupovci.

Më 17 korrik janë hequr tarifat për studentët e nivelit Bachelor dhe Master në universitetet publike, duke filluar nga viti akademik 2021/22.

Ndërsa, Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) ende nuk ka përfunduar procesin e akreditimit të universiteteve publike dhe kolegjeve private. Kjo vonesë po arsyetohet me faktin që Bordi i këtij institucioni është kompletuar vetëm një muaj më herët dhe se për shqyrtim janë një numër i madh i aplikacioneve.

Për Albanian Post, kryetarja e Bordit të KShC-së, Hasnije Ilazi ka thënë se mbledhja e radhës së këtij Bordi pritet të mbahet rreth datës 27 korrik. Kjo mbledhje mbahet për çështjen e akreditimeve të programeve të cilat janë në proces.

Po ashtu, më 10 korrik zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku-Bërdyna në një konferencë për media ka thënë se do të ketë botime të reja të teksteve për klasat 3, 8 dhe 12.

“Jemi në proces të botimit të teksteve për klasat 3, 8 dhe 12 të cilat në muajin shtator pritet të jenë në duart nxënësve tanë”, tha Maloku-Bërdyna.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në shkollimin fillor, të mesëm të ulët në Kosovë, në vitin shkollor 2008-2009 ishin 319 mijë e 154 nxënës, kurse në vitin shkollor 2020-2021, numri i nxënësve është 229 mijë e 664 (28% më pak nxënës së para 12 vitesh).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore