Lajme

Punëtorët e KEDS-it do të hyjnë në grevë, kërkojnë rritje page


Ilustrim

Punëtorët e KEDS-it do të hyjnë në grevë.

Përmes kësaj forme sindikale punëtorët e Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike, po kërkojnë rritje page prej 100 euro.

Kërkesa për rritje page në vlerë të kësaj shume thuhet se u është drejtuar institucioneve që nga muaji nëntor i vitit të kaluar.

“Kemi qenë konstruktivë që nga nëntori. I jemi drejtuar menaxhmentit dhe bordit që të kihet parasysh sepse punëtorët janë lodhur e janë dërmuar prej pandemisë dhe kemi konsideruar si shumë të nevojshme rritjen e pagës. I kemi pritur me shpresë nëse do të realizohet, por menaxhmenti në takimin e fundit që kemi pasur ka ofruar rritje minimale për një pjesë të punëtorëve, në vlerë 30 euro”, ka thënë Ahmet Mujeci, nga Federata Sindikale e KEDS-it, në KTV.

“Kemi konsideruar si të vetmen formë që të fillojmë grevën qysh prej nesër më datë 11, 12 dhe 13”, ka thënë Mujeci duke shtuar se nga e mërkura greva do të nisë fillimisht të jetë vetëm njëorëshe e duke u shtuar çdo ditë”, ka shpjeguar më tej Mujeci.

Ai ka thënë se të gjithë punëtorët e kësaj kompanie kanë nevojë për rritje page.

Mujeci është shprehur se greva s’do të ndikojë te konsumatorët. Ai ka thënë se mund të ketë rënie të inkasimit, por që kjo do të nxirrej në muajt në vazhdim.

Këtë grevë, Mujeci ka shtuar se mund ta ndal vetëm bordi i KEDS, nëse rrisin pagën, kërkesën e kahmotshme të tyre.

Ai madje ka shtuar se nëse kërkesa e tyre nuk përmbushet deri në ditën e tretë të grevës, më 13 maj, të gjitha distriktet do të hyjnë në grevë para objektit të KEDS-it në Prishtinë.

Në grevë kanë paralajmëruar se do të hyjnë edhe punëtorët e arsimit nga niveli parashkollor – kopshtet e deri te mësimdhënësit.

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jashari ka treguar për Albanian Post se grevën do ta nisin me 12 maj duke mos punuar për një orë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore