Lajme

Publiku qesh me Lavrov kur thotë se Rusia është “viktima në luftë”


Të premten, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov mori pjesë si i ftuar në Dialogun Raisina, një konferencë ndërkombëtare e organizuar në New Delhi, kryeqyteti i Indisë, nga një qendër studimi në vend.

Kjo është një nga ngjarjet e pakta ndërkombëtare ku janë ende të ftuar zyrtarë rusë pas pushtimit rus të Ukrainës.

Gjatë fjalës së tij në konferencë, Lavrov foli pikërisht për luftën, duke e paraqitur atë megjithatë sipas tezave të propagandës ruse, krejtësisht të pabazë: ai e cilësoi atë si një “luftë që ne po përpiqemi ta ndalim dhe që është nisur kundër nesh duke përdorur popullin e Ukrainës”.

Kjo deklaratë e kryediplomatit rus shkaktoi të qeshura spontane dhe me zë të lartë nga audienca, e cila përbëhej kryesisht nga akademikë ndërkombëtarë, diplomatë dhe drejtues biznesi.

Pas të qeshurave të të pranishmëve, Lavrov ndaloi pak, por më pas vazhdoi në thelb të fliste pa u ndikuar shumë prej saj.

Edhe pse nuk dukej nga video, një pjesë e audiencës në Dialogun Raisina, i cili ishte shumë i larmishëm, ishte gjithashtu në favor të disa deklaratave propagandistike të Lavrov për Rusinë dhe luftën.

Pati disa duartrokitje për shembull kur ai krahasoi pushtimin rus ndaj ndërhyrjeve ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Irak dhe Afganistan, duke argumentuar se ka ashpërsi ndërkombëtare kundër Rusisë dhe një “standard të dyfishtë” në vlerësimin e konflikteve.

Një pjesë tjetër e madhe e publikut, nga ana tjetër, bëri shumë bujë duke u treguar kundërshtues për të njëjtat deklarata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore