Lajme

Publikohen votat e diasporës për komunën e Fushë-Kosovës


Ilustrim

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar numërimi i votave nga diaspora të parapara për kandidatët për kryetar të Komunës së Fushë-Kosovës. Votat e ardhura nga jashtë Kosovës, përmes postës kanë bërë që kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Burim Berisha, të mos fitojë pa balotazh.

Nga mbi nëntë mijë e 610 vota të aprovuara nga fletëvotimet e ardhura me postë, 80 prej tyre ishin për komunën e Fushë-Kosovës.

Numrin më të madh të votave nga numri i përgjithshëm sa janë gjithsejtë (80), e ka marrë kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Bajçinca, gjithsejtë 49 prej tyre, duke lënë pas Berishën me vetëm 13 vota.

Të dhënat nga KQZ-ja për komunën e Fushë Kosovës

Ndërsa, kandidati nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rrahim Tërnava, ka arritur të marrë në total 11 vota nga diaspora dhe kandidati nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Hasan Ismajli, mori vetëm dy prej tyre.

Deri më tani, votat e Bajçincës bënë që Burim Berisha të mos e fitojë në raundin e parë të drejtën edhe për një mandat katër vjeçar tjetër për të qeverisur në këtë komunë.

Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për votat e rregullta Burim Berisha nuk ka arritur për 14 vota të fitojë zgjedhjet.

Ndërkaq, Burim Berisha arriti që në total të marrë gjithsejtë shtatë mijë e 842 vota apo 49.96 për qind.

Enver Bajçinca grumbulloi tre mijë e 997 vota apo 25,33 për qind, Rrahim Tërnava tre mijë 514 vota apo 22.39 për qind dhe Hasan Ismalji 365 apo 2,33 për qind.

Ilustrim

Megjithatë, këto nuk janë rezultatet përfundimtare.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media ka theksuar se brenda këtyre ditëve do të fillojë edhe numërimi i votave me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.

Ndërkohë, Burim Berisha, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, pati arritur që në raund të parë të fitojë me 63.84 për qind të votave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore