Shqipëria

Psikologët kërkojnë të vaksinohen


Urdhri i Psikologut në Republikën e Shqipërisë ka kërkuar të nisë sa më parë vaksinimi i psikologëve në vend, pas fillimit të marrjes së dozave të para nga mësuesit.

Në një shkresë të drejtuar Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe Ministrisë së Shëndetësisë, presidentja e këtij urdhri, Valbona Treska, thekson rëndësinë e vaksinimit të profesionistëve që punojnë në fushën e psikologjisë.

“Në kushtet kur ka nisur procesi i vaksinimit kundër Covid-19, do të kërkonim nga ana Juaj, që një vëmendje e veçantë të mbahet edhe për punonjësit psikologë, të cilët aktualisht po e ushtrojnë profesionin duke u përballur me rrezikun e infektimit, për shkak të kontaktit të drejtpërdrejtë që kanë me individët ndaj të cilëve ofrohen shërbime”.

Shkresa nënvizon se edhe gjatë pandemisë, psikologët e kanë vazhduar punën. “Nuk e kemi ndalur asnjë ditë shërbimin. Madje, edhe në ditët që i gjithë vendi ka qenë në karantinë të plotë”.

Sipas kërkesës, psikologët përballen me të njëjtat vështirësi si mësuesit. Disa prej tyre, kanë qenë edhe pjesë e strukturave spitalore. Kjo, për të dhënë ndihmë ndaj pacientëve që trajtohen nga Covid-19.

Së fundmi, pas vaksinimit të moshave të treta, ka nisur edhe vaksinimi i mësuesve. Stoqet e reja me vaksinën AstraZeneca e kanë përshpejtuar procesin e vaksinimit.

Për moshat më të mëdha gjithsesi, vaksina Pfizer është ajo që është aplikuar më së shumti. Disa prej mësuesve nga ana tjetër, kanë shprehur rezerva për kryerjen e vaksinës AstraZeneca.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore