Lajme

Pse u publikua lajmi për pasaportën e Valdrin Sahitit? Pse u takua shefi i AKI-së me kryetaren e Kushtetueses? – Gjithçka lidhet me një dallim mes Kurtit e Osmanit për zgjedhjet në Veri


Foto nga Albanian Post

Një kopjues fustanesh glamurozë për gra, Valdrin Sahiti, që posedon pasaportë diplomatike e kujdeset për veshjet e presidentes Vjosa Osmani dhe lajmi i raportuar për të se u zu me substanca narkotike në Turqi nga një medium anonim prapa të cilit qëndron Lëvizja Vetëvendosje, është sipërfaqja e një ajsbergu që brenda mban konfliktin e shtresëzuar mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentes së Kosovës Vjosa Osmani.

Java që shkoi, mes shumë lajmesh, u dominua edhe nga një aspak i zakonshëm. Valdrin Sahiti u zu me drogë në aeroportin e Stambollit. Lajmet pasuese s’kishin të bënin shumë me Sahitin sa me afërsinë e tij me Vjosa Osmanin dhe idenë e krijuar se dikujt si ai presidentja i ka lëshuar pasaportë.

Më pas do kuptohej që Osmani si presidente s’mund t’i lëshojë pasaportë diplomatike kujt, por ishte e parëndësishme. Vetë Sahiti do lajmërohej me një kërkesë që emri i presidentes të mos përmendet më.

“Ndihem keq pafundësisht që emri i presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, po synohet të përbaltoset me informata të pasakta, edhe pse është fakt i njohur se zonja Osmani nuk ka asnjë lidhje me statusin e pasaportës time diplomatike”, deklaroi Sahiti.

Kush e publikoi lajmin?

Lajmi u publikua nga një medium me emrin Kosovanews. Zyrtarisht, në faqe të mediumit, nuk ekziston kurrfarë impresumi që tregon për përbërjen e redaksisë. Madje s’ka as emra udhëheqësish.

Por, çfarë dihet është se Kosovanews është medium pas të cilit qëndron Lëvizja Vetëvendosje. Kur mediumi kishte fare pak që kishte filluar punën, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, që ankohet për mungesën e transparencës nga mediat, kishte shpërndarë lajme pikërisht nga ky medium anonim.

Albanian Post kupton se mediumi ka afërsi të madhe edhe me ministrin e Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla. Shumica e “ekskluziviteteve” të këtij mediumi janë lajme me burime nga Policia e Kosovës.

Ballinat e mediumi ngjajnë me ndonjë faqe zyrtare të Vetëvendosjes. Shumica e lajmeve janë pro pushtetit dhe me kritika për opozitën.

Pse u publikua lajmi që godet Osmanin?

Policia e Kosovës dhe as Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës nuk kanë njoftuar ende zyrtarisht për rastin e Sahiti me pasaportë diplomatike dhe zhvillimin ne Turqi, por mediumi ka siguruar edhe letrën që autoritete turke ia dërguan Policisë së Kosovës.

Arsyeja e publikimit të këtij lajmi nuk është vetë Sahiti, sa dallimet e krijuara në mes të kryeministrit dhe presidentes për një çështje krejt tjetër – zgjedhjet në Veri.

Me 23 prill parashihet të mbahen zgjedhjet në katër komunat serbe – për katër kryetarë komunash dhe dy asamble komunale.

Zgjedhjet do të duhej të mbahen në dhjetorin e vitit të kaluar, por për shkak të situatës së tensionuar në Veri, Osmani vendosi që t’i shtyjë për prill – ajo nuk po pranon t’i shtyjë më.

Sipas burimeve të Albanian Post, përkundër se mund të shkelen afatet kushtetuese, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është i interesuar që të shtyhen sërish zgjedhjet në Veri.

Frika e një eskalimi eventual ka bërë që Kurti të kërkojë nga presidentja ri-shtyrje, deri në një moment më të përshtatshëm dhe me më pak tension.

Osmani në anën tjetër ka refuzuar. Presidentja është e vendosur të zgjedhjet në veri të mbahen siç është paraparë me 23 prill dhe refuzon një shtyrje të dytë.

Albanian Post merr vesh, nga burime brenda Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, se pikërisht në këtë funksion ka qenë edhe takimi në mes të drejtorit të AKI-së, Petrit Ajeti dhe kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani.

Në këtë takim, kupton AP nga AKI, është kërkuar të gjendet një interpretim kushtetuese që mundëson shtyrjen e zgjedhjeve në situata kur ka informacione për pamundësinë e mbajtjes së tyre për shkaqe sigurie.

Divergjencat e Osmanit me Kurtin nuk kanë të bëjnë vetëm me zgjedhjet në Veri, por lidhen edhe me marrëveshjen e arritur nga Kurti në negociata me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Osmani – më pak në mediumet në Kosovë e shumë më shumë në ato ndërkombëtare – ka kritikuar ashpër marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe të përforcuar me aneks në Ohër.

Në vizitën e saj të fundit në Vjenë, në një ligjëratë dhe bashkëbisedim të organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës, kritikoi veçanërisht atë që Kurti e quante si sukses të tij – “vetëmenaxhimin”, e komunitetit serb.

“S’e kemi dashur vetëmenaxhimin, s’ka qenë e duhur shtyrja e Kosovës në këtë drejtim”, deklaroi ajo, duke shtuar se “Kosova nuk e ka dashur nenin 7 në Marrëveshje. Por, në Amerikë thuhet se është më lehtë t’ia dredhosh dorën një shoku”, duke aluduar në presionin ndërkombëtar.

Marrëveshja e Ohrit, Osmani: S’e kemi dashur “vetëmenaxhimin”, s’ka qenë e duhur shtyrja e Kosovës në këtë drejtim

Por, jo vetëm në Vjenë.

Osmani, përtej nenit 7, e ka kritikuar marrëveshjen në tërësi edhe në një intervistë për The Sun në Britani të Madhe.

Ajo i tha gazetës britanike se është “absolutisht e zhgënjyer” me marrëveshjen e arritur nga Kurti me Serbinë.

Madje, kundërshtoi edhe argumentin kryesor të Kurtit se marrëveshja përmban njohje reciproke.

“S’është eksplicite njohja”, tha Osmani.

“Ne jemi absolutisht të zhgënjyer që njohja reciproke nuk përfshihet në mënyrë eksplicite në këtë marrëveshje, sepse kjo është zgjidhja e vetme që mund të çojë në paqe dhe stabilitet afatgjatë”, pati deklaruar Osmani.

Osmani thotë se është “absolutisht e zhgënjyer” me marrëveshjen e arritur nga Kurti me Serbinë – “njohja reciproke s’është eksplicit e përfshirë”

Dallimet Osmani-Kurti për të gjithë qasjen në veri ishin bërë publike për herë të parë nga vetë Osmani, kur kishte treguar se si pasi kryeministri vendosi që të mos e shtyjë afatin për targat ilegale, ajo kishte komunikuar vetë me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier, për t’i kërkuar të kundërtën.

Me 22 nëntor 2022, në momentin kur supozohej fillimi i implementimit të gjobave dhe rreziku për shpërthim u rrit më shumë se kurrë, si nga qielli pati ardhur një cicërim në Twitter e Ambasadorit amerikan që shtronte kërkesë për Qeverinë e Kosovës edhe për një shtyrje 48 orëshe.

Kërkesa amerikan ishte projektua në publik si sukses i arritur nga kryeministri Kurti me politikën e tij të qëndresës dhe dinjitetit. Vetëm pak minuta më pas kryeministri i Kosovës ishte përgjigj po në Twitter se po e pranonte këtë kërkesë.

Një muaj më vonë nga kjo situatë, Vjosa Osmani, pati zbuluar se në fakt nuk ishte kërkesë amerikane shtyrja, por një fizkulturë që po ndodhte prapa dyerve të mbyllura.

Kishte qenë ajo që kishte kërkuar nga Amerika që t’i kërkonte Kurtit shtyrje që më pas Kosova ta pranonte.

“Pasi që dështoi arritja e marrëveshjes, atëherë unë kam telefonuar menjëherë ambasadorin amerikan për të kërkuar këtë 48 orësh”, kishte treguar Osmani gjatë një interviste në emisionin Rubikon në Klan Kosova.

E gjithë kjo kishte ndodhte pa dijeninë e kryeministrit dhe partnerit të saj politik, Albin Kurti.

“Vetëm pastaj kemi biseduar me kryeministrin njëkohësisht që ky të bëhet edhe një lloj pajtimi i Kosovës”.

Vjosa Osmani zbulon (jo)rastësisht se si u mashtruan kosovarët me 22 nëntor – 48 orë nuk i kishte kërkuar Amerika, por vetë Kosova

Se çfarë do të ndodhë me zgjedhjet në Veri, akoma është e paqartë. Gjithësia, KQZ ka vazhduar me organizimin duke respektuar afatet e caktuara. Tashmë është bërë e ditur se është vendosur edhe sa vendvotime do të jenë të hapura ditën e zgjedhjeve dhe se ato do të mbahen në kontejnerë, meqë në shkolla, siç janë mbajtur dikur, nuk ka siguri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore