Shqipëria

PS hapet tërësisht – Kushdo mund të kandidojë për kryetar dege


Mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme e Partisë Socialiste ka marrë udhë mëngjesin e 7 majit, ku thelbi kryesor i bisedimeve është pikërisht hapja e garës për kryetarët e degëve, e cila do të jetë tërësisht e hapur dhe gjithkush mund të shpallë kandidaturën apo të propozojë persona të bazës së partisë për këto poste.

Sipas kryeministrit Edi Rama dhe njëkohësisht kreut të socialistëve, jo vetëm që PS-ja do të jetë tërësisht e hapur, por synimi kryesor do të jetë ai i një forme të re bashkëdrejtimi të degëve, ku kryetar nuk do të jetë një i vetëm, por dy, me një grua dhe një burrë që mbartin funksionet.

“Nuk është thjesht një zgjedhje e Partisë Socialiste apo një hap për zgjedhjet e ardhshme vendore, të cilave do t’i kushtojmë gjithë vëmendjen”, shpjegoi Rama. “Por është më së shumti e rëndësishme për gjithë këtë dekadë, sepse është domosdoshmëri që t’i japim partisë një profil të ri politik në gjithë territorin”.

Ky profil momentalisht, sipas kreut të të majtëve, i mungon momentalisht PS.

Kryetarët e degëve ndërkaq sipas tij, duhet të punojnë në bashkërendim me kryetarët e bashkive ku ata operojnë. Kjo, pasi ata janë zëri zyrtar i socialistëve në gjithë territorin dhe që duhet të punojnë më së shumti në bazë.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, theksoi nga ana tjetër se për këtë proces, ka marrë jetë një komision i posaçëm. Ky komision do të kontrollojë gjithë dinamikën e zgjedhjeve të kryetarëve të degëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore