Lajme

Propaganda e Dodik-ut: Perëndimi fantazon “Olujën” në Veri të Kosovës – Kurti eksponent i tyre


Millorad Dodik

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – etniteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, ka pretenduar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “është eksponent i pjesës perëndimore të bashkësisë ndërkombëtare, të cilës i përgjigjet”, sepse, pretendon ai, “duan një ‘blitzkrieg’ [operacion ushtarak që për herë të parë u përdor nga Gjermania naziste në Luftën e Dytë Botërore], në Veri të Kosovës, që serbët të bëhen një pakicë margjinale që askush nuk do ta marrë parasysh”.

“Ky është plani i tyre – Brukseli, Londra, Nju Jorku dhe Berlini. Dhe ata kurrë nuk do ta konfirmojnë dhe thonë se është plan i tyre, por – është”, ka pretenduar Dodik në një intervistë për median serbe me seli në Kosovë “KosovoOnline”.

Sipas të sanksionuarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar, Bashkimi Evropian ndjek një “politikë sikardiane, korruptive” në çështjen e Kosovës, teksa ka shtuar se “Kosova nuk duhet të njihet kurrë”.

Një gjë të tillë, ka pohuar minuesi i Marrëveshjes së Dejtonit (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH, më 1995), nuk do ta bëjë as BeH, e kjo për shkak se nuk do ta lejojë Republika Srpska, duke përdorur veton e saj në presidencën trepalëshe (boshnjake, serbe dhe kroate) të BeH-së.

“Kosova është një çështje universale për Serbinë, dhe një çështje interesante për Brukselin dhe të tjerët. Kosova nuk duhet të njihet kurrë. Ne kurrë nuk do t’ua njohim dokumentet”, ka shtuar ai.

Duke akuzuar ndërkombëtarët se po e mbështesin Kurtin, gjoja për t’i bërë serbët që jetojnë në Kosovë “pakicë margjinale”, ka theksuar se të njëjtit “janë ata që fantazojnë për ndonjë ‘Stuhi’ [Oluja – beteja e fundit e madhe e luftës për pavarësi nga Kroacia] në Veri të Kosovës, ashtu siç fantazojnë për një ‘Stuhi’ në BeH”.

“Por gjërat kanë ndryshuar pak, nuk do t’i rekomandoja vërtet gjëra të tilla”, pohoi autoritari Dodik.

I sanksionuari i ShBA-së pretendon se janë “shkatërruar të gjitha dokumentet ndërkombëtare për Kosovën”, ku përmendi Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së e Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, e dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së.

“Kurti është një ushtar në terrenin e Brukselit dhe Uashingtonit, asgjë tjetër. Është e vështirë për udhëheqjen e Serbisë, në krye me [Aleksandër] Vuçiç-in, të luftojë me turmën që ka hyrë, por ai ia del me sukses. Ai tha se kurrë nuk do ta njohë Kosovën dhe se nuk do ta falë. Dhe, ata do të kërkojnë dikë që do”, shtoi ai.

Teksa mohoi pavarësinë e Kosovës, ai ripërsëriti synimin e tij për de-stabilizimin e BeH-së, pra për shkëputjen e Republikës Srpska nga ky shtet dhe bashkimin e saj me Serbinë.

“Dhe fakti që Berlini, Britania, Brukseli dhe ShBA-ja nuk e pëlqejnë, nuk do të thotë se nuk kam të drejtë”, pretendoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore