Kosova

Prokuroria Speciale urdhëron lirimin e serbit që u arrestua të martën për krime lufte


Ilustrim

Prokuroria Speciale e Kosovës, këtë të mërkurë, ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të serbit që ishte ndaluar dje nga Policia e Kosovës si i dyshuar për përfshirje në krime lufte.

Lirimi i personit me inicialet T.B. u bë pasi prokurori ka vlerësuar se nuk ekzistojnë bazat ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj personit të ndaluar.

“Prokuroria Speciale njofton se pas shqyrtimit të kallëzimit penal të Policisë së Kosovës, respektivisht Njësia për Hetimin e Krimeve të luftës, kjo prokurori ka vlerësuar se nuk ekzistojnë bazat ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj personit të ndaluar, andaj PSRK ka urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm”, thuhet në njoftim.

Çfarë ndodhi?

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se të martën pasdite në pikë kalimin kufitar ka arritur të lokalizojë dhe të arrestojë një të dyshuar serb.

Departamenti i Policisë kufitare në bashkëpunim me hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, kanë arritur të arrestojnë serbin me iniciale (T.B.) i cili dyshohet për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” të kryer gjatë viteve 1998-1999 në komunën e Vushtrrisë.

“Personi i dyshuar është dërguar në Polici dhe pritet të intervistohet në prezencë të avokatit mbrojtës ku të gjitha procedurat e mëtejme do të ndërmerren në bashkërendim me organet e drejtësisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore