Lajme

Prokuroria Speciale rrëzon kallëzimin penal ndaj Selim Selimit dhe Nehat Thaqit


Selim Selimi dhe Nehat Thaçi

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka hedhur poshtë kallëzimin penal ndaj ish-ministrit të Drejtësisë Selim Selimit dhe ish-drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçit, pasi në prill të këtij viti u akuzuan me pretendimin se i kishin keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare për t’i sjellë përfitim personit juridiko-privat.

Lajmin për vendimin e hedhjes poshtë të kallëzimit penal e ka konfirmuar, prokurori special, Milot Krasniqi, raporton Betimi për Drejtësi.

“Arsyeja e hedhjes poshtë të kallëzimit penal është se të dyshuarve nuk është gjetur elemente të veprës penale për të cilat është bërë kallëzimi penal e as për ndonjë vepër tjetër, e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare”, ka thënë prokurori Krasniqi.

Ndryshe për ngritjen e kallëzimit penal ndaj ish-ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi dhe drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, ishte bërë publik në rrjetin social Facebook nga zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.

“Sot (26 prill), njëanshëm kemi anuluar kontratën kriminale përmes së cilës  persona të papërgjegjshëm kanë dhënë në shfrytëzim pronën e Ministrisë së Drejtësisë, personit juridiko privat pa asnjë bazë ligjore, gjithësej dy hektarë e 12 ari e 17 metra katëror. Po ashtu kemi dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale kundër ish Ministrit Selim Selimi dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi”, kishte shkruar Sallahu, në rrjetin e tij social, Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore