Lajme

Prokuroria për arrestimin e tre serbëve: Dyshohen për veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”


Ilustrim.

Prokuroria Speciale e Kosovës, pas arrestimit të tre personave të nacionalitetit serb në Veri të Kosovës, ka thënë se janë arrestuar për veprën penale, “Krimet e luftës kundër popullatës civile”.

Lajmin e ka bërë të ditur Prokuroria përmes një komunikate për media.

“Prokuroria Speciale njofton se tre (3) të arrestuarit akuzohen për veprën penale ‘Krimet e luftës kundër popullatës civile, veprime këto të sanksionuara sipas, nenit 142 dhe 22 të Kodit Penal të RSFJ”.

“Aktualisht e penalizuar me nenet 31 dhe 153 të KPRK, në kundërshtim me nenin 3 të përbashkët  të 4 Konventave të Gjenevës të datës 12 gusht 1949, të neneve 4 dhe 5 (1) të Protokollit 2 të datës 08 qershor 1977, shtojcë e Konventave të Gjenevës të vitit 1949, të gjitha rregullat e ligjeve ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe kurdoherë e rëndësishme për vendimin e tanishëm ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Me aktvendim të Prokurorit të Prokurorisë Speciale, tre të arrestuarit janë dërguar në ndalim për 48 orë.

Dy serbë janë arrestuar të mërkurën në Mitrovicë të Veriut dhe në në Zveçan.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar Veton Elshani – zëdhënës i policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut.

“Ne kemi asistuar dhe i kemi dërguar për në Prishtinë”, ka thënë Elshani shkurt për Albanian Post.

Edhe më 11 gusht, pesë persona prej tyre katër serbë dhe një shqiptar janë arrestuar në Zubin Potok, ndërsa një tjetër është në kërkim në lidhje me kontrabandim me mallra, narkotikë dhe sulm ndaj policisë.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së premte Policia e Kosovës, sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani ka ndaluar një grup kontrabandistësh në tre vetura dhe një furgon në afërsi të Çeçevës.

Në momentin kur policët kanë tentuar t’i ndalojnë, sipas Elshanit, grupi ka sulmuar me armë zjarri policinë, e cila është kundërpërgjigjur.

Tre serbë arrestohen në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore