Kosova

Prokuroria fton Lushtakun për intervistim


Mergim Lushtaku

Prokuroria Themelore e Prishtinës e ka ftuar për intervistim deputetin nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtakun, kjo pas rrahjes që ndodhi në Kuvend në mes të deputetëve të PDK-së dhe kabinetit qeveritar.

Lushtaku ishte njëri nga protagonistët e përplasjes fizike që ndodhi të enjten në Kuvendin e Kosovës.

Ishte ai që hodhi ujë në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, gjatë kohës kur ky i fundit po fliste në foltoren e kuvendit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka inicuar hetime në drejtim të veprës penale “Sulmi”, lidhur me rrahjen që ka ndodhur në Kuvend.

Lajmin e ka bërë të ditur gjatë ditës Prokuroria përmes një komunikate për media.

Në komunikatë është bërë e ditur se gjithashtu e ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore.

“Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, do t’i ndërmerre të gjitha veprimet konform dispozitave ligjore të KPPRK-së, deri në sqarimin e plotë të çështjes në fjalë”, është theksuar në njoftim.

Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, ishte duke folur për situatën në Veri të Kosovës, kur fjalimi i tij u ndërpre nga deputetët e opozitës që brohorisnin “rrenc”.

Fillimisht, në drejtim të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi u hodh ujë nga deputeti Mërgim Lushtaku, pasi Bislimi largoi dhe grisi nga foltorja një foto-montazhë të kryeministrit me hundë të zgjatur që opozita ia kishte vendosur aty.

Më pas, situata u rëndua me sulme fizike edhe ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, kur deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ia marrë syzet ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe duke e goditur me to.

Murati, reagoi duke u përpjekur që ta mbronte Kurtin me një fashikull, e Lushtaku iu kthye për ta lagur edhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi i cili pastaj e gjuajti në fytyrë me shishe të ujit.

Pastaj aty janë ofruar disa prej ministrave, deputetët e pushtetit e të PDK-së të cilët janë përfshirë në rrahje.

Policia e Kosovës dhe mbrojtja e afërt e kryeministrit ka intervenuar për t’i ndalur përleshjet.

Ata qëndruan brenda në sallën e Kuvendit, deri sa kryeministri u largua nga aty.

Forca të shtuara të policisë ishin pranë dhe brenda në Kuvend.

Edhe në seancën e rinisur ka pasur përleshje mes opozitës dhe pozitës.

Rrahja në Kuvend – Prokuroria nis hetimet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore