Kosova

Prishtina fillon me dhënien e vërtetimeve për ata që kanë kaluar COVID-19


Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti përmes një njoftimi në Facebook ka bërë të ditur se ka nisur dhënia e vërtetimeve për qytetarët të cilët kanë qenë me Coronavirus.

“Me vendim të Nënkryetarit të Prishtinës, z. Muhedin Nushi, kemi filluar dhënien e  vërtetimeve për qytetarët të cilët kanë qenë të diagnostikuar me COVID–19”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Tutje ai ka theksuar, se vërtetimi vlen vetëm për personat që kanë qenë të diagnostikuar me COVID-19 në 180 ditët e fundit para publikimit të njoftimit.

Vërtetimet për të diagnostikuarit me COVID-19
Vërtetimet për të diagnostikuarit me COVID-19.

Situata epidemiologjike me Coronavirus në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë më shtatës tetor (të enjten ), pas dy muajve njoftoi se nuk është regjistruar asnjë rast i vdekjes, ndërsa ka raportuar 30 persona të infektuar nga COVID-19 dhe asnjë të vdekur.

Numri i të infektuarve vjen nga dy mijë e 347 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë 94 persona.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë një mijë e 676.

Numri i të vaksinuarve brenda 24 orëve të fundit është gjithsejtë 10 mijë e 736.

Numri i të vaksinuarve me vetëm dozën e parë të vaksinës anti-COVID është gjithsejtë 819 mijë e 485 ndërsa numri i të vaksinuarve me të dy dozat është gjithsejtë 588 mijë e 481.

Ndërsa, të mërkurën në Kosovë një person ka humbur jetën nga Coronavirusi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore