Sport

“Princi” që kërkon të bëhet kryetar bashkie


Partia Demokratike (PD) në Itali ka një emër të njohur për kandidaturën në Bashkinë e Torinos. Ish-kapiteni i Juventus-it, Claudio Marchisio, tashmë po synon të bëhet kapiteni i gjithë qytetit.

PD do duhet të zgjedhë kandidatët e saj për kryetarë bashkie, si dhe përfaqësuesit në këshillat e qyteteve. Ndërkohë që në qytete të tjera ka shumë emra që përmenden, në Torino është vetëm një emër që ka konsensusin e shumicës, Marchisio. Edhe pse bëhet fjalë për një bashki kaq të rëndësishme.

Ish-mesfushori i Juventus-it dhe Kombëtares së Italisë, mund të jetë rasti i radhës kur nga sporti kalohet në politikë.

Nuk dihet se në çfarë bazash është menduar zgjedhja e Marchisio-s për Torinon, zgjedhje strategjike, populise apo diçka tjetër. Por, një gjë është e sigurt: vetë Marchisio e ka shprehur hapur dëshirën për të qenë përsëri në krye të Torinos, e kësaj here jo si futbollist, por si drejtues i Bashkisë së Torinos.

Marchisio në Torino nuk është vetëm një ish-lojtar. 35-vjeçari ka lindur në Torino, në Komunën e Chieri dhe Andezeno, vend në të cilin vazhdojnë të banojnë prindërit e tij.

Ish-mesfushori u rrit si një tifoz i Juventus-it dhe më pas u bë pjesë e ekipeve zinxhire të klubit. Mes shkollimit dhe futbollit, ai zgjodhi këtë të fundit. Në moshën 16-vjeçare braktisi trajnimet profesionale në fushën e topografisë, për t’u përqendruar përfundimisht në fushën e blertë.

Në vitin 2005, Marchisio kaloi për herë të parë në ekipin e parë të Juventus-it, ndërsa në 2007, për një vit, do të shkonte në huazim tek Empoli.

Në 2008 rikthehet në shtëpi, në Torino, te Zonja e Vjetër. Duke filluar nga sezoni 2011/’12 deri në 2018, kur u largua përfundimisht nga bardhe zinjtë, Marchisio, luajti 389 ndeshje në total, ku arriti, 37 gola dhe 40 asiste, shtatë trofe të Serisë A, katër Kupa të Italisë, tre Superkupa të Italisë, një trofe Italienischer Zweitligameister.

Shtatori i 2018-s shënoi fundin e karrierës së ish-kapitenit me Juventus-in. Më pas u transferua në Rusi, te Zenit St. Petersburg-u, ku luajti një vit, përpara se t’i jepte fund karrierës së luajtur.

“Princi” i Torinos, siç njihej kur luante futboll, e plotësoi ëndrrën e fëmijërisë për të përfaqësuar ngjyrat bardhë e zi dhe tani kërkon të plotësojë ëndrrën tjetër, të jetë në krye të gjithë qytetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore