Shqipëria

Presidentja e KE-së ravijëzoi ‘solidaritetin’ mes BE-së dhe Shqipërisë


“BE-ja është e vendosur të mbështesë partnerët tanë në përballimin e çmimeve të larta të energjisë dhe përmirësimin e sigurisë së tyre energjetike në afat të gjatë”.

Kështu paralajmërohej nisja e turit të shkurtër ballkanik e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen në faqen zyrtare të KE-së.

Shqipëria ishte vendndalimi i tretë i kryekomisioneres evropiane në agjendën e saj.

Gjatë fjalës së saj, në prani të kryeministrit shqiptar Edi Rama, von der Leyen zbuloi edhe fondin e solidaritetit për “mbështetje buxhetore”.

Bëhej fjalë për 80 milionë euro, të cilat do të kalojnë përmes granteve për të shkuar te familjet dhe bizneset e vogla në një kohë të vështirë.

Më herët, BE-ja zbuloi paketën e mbështetjes energjetike për Kosovën duke i ofruar 75 milionë euro.

Bashkimi Evropian premtoi 80 milionë euro për Maqedoninë e Veriut për të trajtuar gjithashtu krizën energjetike në ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese.

“Ka grante prej 500 milionë eurosh për të gjithë rajonin (Ballkanin) për të investuar në atë që është aq e nevojshme për të marrë pavarësinë tonë (energjetike), për të investuar në lidhjet e energjisë, efiçencën e energjisë dhe natyrisht në energjinë e rinovueshme”, theksoi shprehimisht von der Leyen.

Solidariteti në shifra

Bashkimi Evropian pritet të lëvrojë përmes IPA-s III më shumë se 14 miliardë euro përgjatë viteve 2021 dhe 2027 për rajonin.

Këto, për sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë dhe marrëdhëniet fqinjësore, agjendën e gjelbër, konkurrueshmërinë dhe bashkëpunimin territorial dhe ndërkufitar.

Kujtojmë që mjeti me të cilin Bashkimi Evropian ndihmon reformat në vendet kandidate dhe kandidate potenciale quhet Instrumenti i Asistencës së Para-Aderimit (IPA).

BE-ja është partneri më i madh tregtar i Shqipërisë dhe investimet në vendin tonë kanë arritur në 610.9 milionë euro vitin e kaluar.

Gjatë shtatë viteve të ardhshme, BE-ja do mobilizojë deri në 30 miliardë euro në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare përmes Planit Ekonomik dhe Investiv për Ballkanin Perëndimor të nisur në vitin 2020.

Projektet e mëposhtme të EIP për Shqipërinë ishin miratuar në vitin 2022: Transport i qëndrueshëm: bypass-i i Tiranës, Linja hekurudhore e Hanit të Hotit; Energjia e pastër: Termocentral fotovoltaik në Vaun e Dejës.

Plani Vjetor i Veprimit 2021 për Shqipërinë parasheh një buxhet prej 64.9 milionë euro për mbështetje në veprimet në drejtësi, të drejtat pronësore, ekonominë qarkore dhe rritjen e gjelbër.

Për vitet 2014 – 2020 janë ndarë fonde IPA II, gjatë së cilës Shqipëria mori 758 milionë euro.

Prioriteti u vendos në këta sektorë: Demokracia dhe Qeverisja (7 milionë euro); Sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore (8 milionë euro); Veprimi i Mjedisit dhe Klimës (30.2 milionë €); Transporti (2 milionë euro); Konkurrueshmëria dhe Inovacioni plus Bujqësia dhe Zhvillimi Rural (182.2 milionë €);

Mund të thuhet se ndihma e BE-së u përqendrua kryesisht në avancimin e demokracisë dhe qeverisjes së mirë.

Kjo, nëpërmjet forcimit të institucioneve demokratike, reformimit të shërbimit civil dhe ofrimit të shërbimeve publike, përmirësimit të qeverisjes ekonomike dhe menaxhimit të financave publike dhe fuqizimit të shoqërisë civile.

Ndërsa, 115 milionë euro janë grante të BE-së për rehabilitim dhe rindërtimi pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 2019.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore