Shqipëria

‘Presidenti i ri’, Alibeaj: Duhet të dalim me një kandidaturë të vetme


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së zhvilluar lidhur me konsultimet për presidentin e ri tha se “duhet të dalim me një kandidaturë të vetme”.

“Do të konsultohemi për procesin dhe emrat. Po bëjmë detyrën tonë ndaj vetes dhe shqiptarëve”.

Alibeaj beson se ky proces përmbush të gjitha kërkesat që procesi do të duhet të ketë.

“Nesër pasdite do të ketë një tjetër mbledhje me kolegët tanë me aleatët tanë, dhe besoj se secili ka pasur lirinë të flasë. Sërish do të kem takim me aleatët, në çdo kohë, e kam disponibilitetin prej tyre për të folur”.

Teksa tha se presin mendimin dhe sugjerimet e të gjithë deputetëve të Grupit Parlamentar të PD-së, ai “përjashtoi” ish-kryetarin e PD-së, Sali Berisha duke theksuar se bëhet fjalë vetëm për Grupin Parlamentar.

Partia Demokratike zbuloi emrat e propozuar për President deri në këto momente në mbledhje.

Fillimisht, u propozua emri i Leonard Demit nga deputeti Ferdinand Xhaferraj.

Më tej, erdhi propozimi i Arben Çejkut nga deputeti Flamur Hoxha, ndërsa Jorida Tabaku dhe Dashamir Shehi u propozuan nga Kreshnik Çollaku.

Visar Zhiti ishte emri i propozuar nga Saimir Korreshi, i cili u zbulua më herët nga burimet e Albanian Post në përmbyllje të raundit të parë.

Ndërsa, Rexhep Uka, Halim Kosova dhe Dashamir Shehi u propozuan nga ish-kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu.

Propozimin e Arben Cejkut e kanë mbështetur Zef Hila dhe Ramadan Lika.

Leonard Demi ka qenë deputet dhe ish-kryetar i Komisionit të Sigurisë, si dhe ish-ambasador i Shqipërisë në NATO.

Arben Çejku ka qenë ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut.

Të pranishëm në mbledhjen e drejtuar nga kreu i grupit, Enkelejd Alibeaj, janë 23 deputetë demokratë.

Para nisjes së mbledhjes së Grupit Parlamentar, Enkelejd Alibeaj është takuar me aleatët në kryesi.

Në mbledhje kanë marrë pjesë Mesila Doda dhe Agron Duka nga dy grupet e tjera parlamentare të opozitës.

Deputeti Gazment Bardhi ka zbuluar negociatat për të bashkuar të 59 deputetët e PD-së në procesin e zgjedhjes së Presidentit.

Sakaq, ai i ka kërkuar kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, që të negociojë me Komisionin e Rithemelimit që të gjithë deputetët të jenë të pranishëm në mbledhje.

“I kam kërkuar dje Fatmir Mediut të kontaktojë me pjesën tjetër të grupit. Ata janë përgjigjur që ky proces të bëhet nga partia, jo nga grupi i deputetëve. Dhe partia jemi ne, kanë thënë. Prandaj s’kanë pranuar të vijnë në mbledhje”, ka treguar Bardhi.

“Duhet një armëpushim mes vetes në PD dhe të eksplorohet çdo mundësi për bashkim në këtë proces”, ka vijuar ai.

Mirëpo, sipas atij, nuk duhet reshtur së eksploruari çdo mundësi që edhe propozimet e tyre për kandidatë të përfshihen.

“Pa garanci, që propozimet tona do të merren në konsideratë, nuk mendoj që duhet të ecim me emra. Ose nëse grupi vendos që duhet të propozojmë, atëherë kjo nuk duhet të vijohet pa fund. Unë nuk kam emër dhe nuk propozoj emër”, ka përmbyllur ai.

Lajmi në përditësim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore