Lajme

Milatoviç kërkon drejtësi për shqiptarët e vrarë në vitin 1999 nga forcat jugosllave


Jakov Milatoviç dhe Vjosa Osmani

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, në 25-vjetorin e masakrës së kryer nga forcat jugosllave në pikën kufitare në vitin 1999, ku u vranë gjashtë civilë shqiptarë të Kosovës, duke përfshirë dy fëmijë, deklaroi se viktimat e krimit meritojnë drejtësi, kurse autoritetet duhet të mbajnë përgjegjës autorët.

Në një fshat afër kufirit midis Malit të Zi dhe Kosovës, më 18 prill 1999, pjesëtarët e ushtrisë jugosllave vranë gjashtë refugjatë shqiptarë, ndërsa pesë të tjerë u plagosën nga sulmi i armatosur që ndodhi gjatë bombardimeve 78-ditore të NATO-s kundër ish-Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ).

Milatoviç shtoi se krimet e kryera para një qerek shekulli përfaqësojnë një kapitull të errët në historinë malazeze, duke u shënuar nga humbja e jetëve të shqiptarëve të pafajshëm që kërkuan strehë në Mal të Zi. Ai gjithashtu bëri thirrje që të ngritet një memoral përkujtimi për viktimat.

“Viktimat meritojnë drejtësi dhe për këtë arsye u bëj thirrje autoriteteve kompetente që të mos heqin dorë nga vërtetimi i plotë i së vërtetës dhe përgjegjësisë së autorëve. Gjithashtu, bëj thirrje për ngritjen e një memoriali dinjitoz që do të nderojë përgjithmonë viktimat, por gjithashtu do të shërbejë si një vend mësimi për brezat e ardhshëm”, tha Milatoviç.

Në bazë të të dhënave të prokurorit publik në Mal të Zi, mbi 20 shqiptarë gjeten vdekjen gjatë pranverës së vitit 1999, në disa incidente të ndara dhe të pashpjegueshme deri më tani. Mali i Zi kishte hapur dyert për një numër të madh të refugjatëve nga Kosova gjatë fushatës ajrore të NATO-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore