Sport

Presidenti i FIFA-s: Ky vit ishte fantastik, futbolli në Shqipëri në duar të sigurta


Pjesë e mbrëmjes gala “Më të Mirët 2023” të organizuar nga FSHF, është bërë edhe Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Me anë të një video-mesazhi ai ka vlerësuar arritjet e jashtëzakonshme të Futbollit Shqiptar gjatë vitit 2023.

Presidenti i FIFA-s u ndal edhe te futbolli i vajzave duke vlerësuar maksimalisht strategjinë e FSHF për futbollit e vajzave “Rising Stars 2023-2026”.

“Këtë vit ju keni siguruar pjesëmarrjen tuaj në finalet e EURO 2024 – duke u renditur për herë të parë në krye të grupit tuaj kualifikues. Epo, unë vetëm mund t’ju përgëzoj të gjithëve, Presidentin Duka, trajnerin e Kombëtares Sylvinho, të gjithë lojtarët dhe stafin që e kanë bërë të mundur këtë arritje. Jam i sigurt që verën e ardhshme do ta bëni krenar vendin tuaj në Gjermani”, ka thënë ai.

Po ashtu ai ka vijuar duke thënë se me Kupën e Botës FIFA për femra, ishte gjithashtu një vit i madh për FIFA-n dhe për futbollin e femrave.

“Ishte një turne transformues, Kupa e Botës më e mirë e FIFA-s për femra deri më sot, dhe jam i kënaqur të shoh që Federata Shqiptare e Futbollit po fokusohet gjithashtu në përfshirjen e sa më shumë vajzave dhe grave në futboll dhe ne po shohim progres pozitiv gradual në renditjen botërore në këtë aspekt”, ka shtuar ai.

Infantino ka treguar se e ka pritur me entuziazëm strategjinë e futbollit të vajzave “Rising Stars”.

“Dua t’ju inkurajoj që të ndiqni synimet tuaja – imagjinoni sa fantastike do të ishte të shikonim Kombëtaren e Shqipërisë në Kupën e Botës FIFA me 48 ekipe në 2026-n dhe Kombëtaren e vajzave në Kupën e Botës FIFA për femra një vit më pas”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore