Aplikacione

Postimet antisemitike ‘nuk hiqen’ në 80 për qind të rasteve


Referuar një raporti të ri, platformat kryesore të mediave sociale nuk arrijnë të heqin më shumë se 80 për qind të postimeve antisemitike në platformat e tyre.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se Qendra për Luftimin e Urrejtjes Digjitale (CCDH) ka njoftuar se ka raportuar më shumë se 700 postime që përmbajnë “urrejtje antihebraike”, të cilat ishin parë 7.3 milionë herë në total.

Në këtë hulumtim përfshihen media sociale si Facebook, Instagram, TikTok, Twitter dhe YouTube.

Ndër to, Facebook-u rezulton performuesi më i keq, duke dështuar të veprojë në 89 për qind të postimeve.

Në këtë raport të ri të quajtur “Dështimi për të vepruar”, CCDH ka akuzuar disa nga gjigantët e teknologjisë se ishin “vende të sigurta për të përhapur racizmin dhe propagandën kundër hebrenjve”.

Një në gjashtë

Studiuesit e qendrës, duke përdorur mjetet e raportimit të ofruara nga secila platformë, mblodhën 714 postime midis muajit maj dhe qershor, shembuj që pretendonin se “shkelnin qartë” politikat e firmave të mediave sociale.

Gjithashtu është thënë se ato përfshinin mohimin e Holokaustit dhe teoritë e komplotit me pretendime të rreme për hebrenjtë që “kontrollonin” qeveritë dhe bankat, ose orkestronin ngjarjet botërore.

Dhe këto postime u raportuan përmes “llogarive të zakonshme të përdoruesve”, në vend që një të identifikohej si e përfshirë në CCDH.

“Ne zbuluam se platformat vepruan në më pak se një në gjashtë shembuj të raportuar të antisemitizmit”, ka deklaruar ajo.

Secila nga mediat sociale rezultuan të kishin madhësi të ndryshme të mostrës prej 714 postimeve të ndjekura gjithsej.

Facebook kishte vepruar në 14 nga 129 postimet e raportuara (10.9 për qind), Twitter-i kishte hequr 15 nga 137 (11 për qind), TikTok-u 22 nga 119 (18.5 për qind), Instagram-i 52 nga 277 (18.8 për qind), kurse YouTube-i kishte hequr 11 nga 52 (21.2 për qind).

CCDH ka bërë me dije se mesatarisht, 84 për qind e postimeve të raportuara nuk ishin hequr.

Grupet dhe etiketimet

Gjithashtu ka “etiketuar” postimet që mblodhi në përkatësi përmes kategorive të caktuara, sipas gjykimit të studiuesve.

Për këtë qendra ka thënë se ata që u etiketuan si mohim i Holokaustit mbetën në internet 80 për qind të kohës, ndërsa për përmbajtjen neo-naziste ishte 71 për qind.

CCDH ishte kritike edhe ndaj disa prej kompanive për lejimin e forumeve të diskutimit për përmbajtjen antisemitike, pavarësisht çdo veprimi të ndërmarrë në postimet individuale.

Lidhur me Facebook-un, CCDH ka deklaruar se grupet e medias nga të cilat mori burimin e shumë prej postimeve të tij shembull, me tituj të tillë si “Ekspozimi i rendit të ri botëror” dhe “Ekspozimi i sionizmit”, ishin ende aktivë.

Kurse për Instagram-in, TikTok-un dhe Twitter-in, ka kritikuar përdorimin e lejuar të hashtag-eve të tilla si “fakejews, #rothschild dhe #soros, të cilat ka thënë se zakonisht përdoren për të përhapur përmbajtje antisemitike.

Dhe ka thirrur veçanërisht TikTok-un për ndalimin e vetëm pesë për qind të llogarive që dërgonin abuzim drejtpërdrejt te përdoruesit hebrenj si komente në video, zakonisht duke zgjedhur fshirjen e komenteve individuale në vend të tyre.

Në hyrje të raportit, kreu i CCDH-së, Imran Ahmed, ka sqaruar se raportimi manual dhe ndjekja e shembujve “anashkalon debatet për algoritmet dhe pretendimet e kompanive për heqjen e automatizuar të urrejtjes që ata refuzojnë t’i verifikojnë në mënyrë të pavarur”.

Gjithashtu ka vijuar se “në vend të kësaj, ne matëm efektivitetin e kundërshtimit të platformave ndaj antisemitizmit duke vlerësuar atë që ata bëjnë me raportet e përdoruesve të urrejtjes antihebraike”.

Ai u ka drejtuar thirrje kompanive të mëdha të teknologjisë që të heqin grupet që diskutojnë komplotet antisemitike, ndalojnë hashtag-et fyes dhe rishikojnë sistemet e moderimit.

Madje, ka bërë thirrje për legjislacion të ri për t’i bërë firmat e mediave sociale përgjegjëse “në të njëjtën mënyrë si çdo person tjetër”.

‘Puna nuk bëhet kurrë’

“BBC” tregon se firmat e mediave sociale kryesisht mbrojtën rekordet e tyre, duke treguar shembuj të përparimit të bërë në këtë çështje.

Një zëdhënës i YouTube-it ka thënë se “kishte krijuar një politikë të fortë të gjuhës së urrejtjes dhe kishte bërë përparim të rëndësishëm në aftësinë tonë për të hequr shpejt përmbajtjen e urrejtjes” vitet e fundit. Ai ka shtuar se kishte hequr 85 mijë video në tre muajt e parë të vitit.

“Kjo punë është në vazhdim dhe ne e vlerësojmë këtë reagim nga CCDH”, kanë sqaruar ata.

Ndërkohë, Twitter-i ka deklaruar se “dënon ashpër” antisemitizmin.

“Përmirësimi i shpejtësisë dhe shkallës së zbatimit të rregullave tona është një përparësi kryesore për ne. Ne e pranojmë se ka më shumë për të bërë dhe ne do të vazhdojmë të dëgjojmë dhe integrojmë reagimet e palëve të interesuara në këto përpjekje të vazhdueshme”, ka vijuar deklarata.

Kurse TikTok-u ka bërë me dije se “dënon antisemitizmin dhe nuk toleron gjuhën e urrejtjes”.

“Ne punojmë në mënyrë agresive për të luftuar urrejtjen duke hequr në mënyrë aktive llogaritë dhe përmbajtjen që shkelin politikat tona dhe përcjellim kërkimet për ideologji urrejtëse në udhëzimet e komunitetit tonë”, ka thënë kompania.

Dhe se “ne jemi të vendosur për përmirësimin e vazhdueshëm të mënyrës se si e mbrojmë komunitetin tonë”.

Nga ana tjetër, Facebook-u ka treguar se “puna jonë nuk është përfunduar kurrë”.

“Këto raporte nuk marrin parasysh faktin se ne kemi ndërmarrë veprime për 15 herë sasinë e gjuhës së urrejtjes që nga viti 2017, përhapja e gjuhës së urrejtjes po zvogëlohet në platformën tonë dhe nga gjuha e urrejtjes që heqim, 97 për qind u gjet para se dikush na e raportoi atë”, ka vijuar platforma.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore