Lajme

Polonia e shqetësuar për situatën në Veri: Palët t’i kthehen dialogut


Ministria e Punëve të Jashtme të Polonisë ka reaguar pas gjendjes së krijuar në Veri të Kosovës, ku protestuesit serbë kanë sulmuar trupat paqeruajtëse të KFOR-it.

“Ministria e Punëve të Jashtme shpreh shqetësimin e saj serioz për rritjen e tensioneve në veri të Kosovës dhe dënon fuqishëm sulmet e paprovokuara ndaj trupave të NATO-s që marrin pjesë në operacionin e KFOR-it, të cilat rezultuan me plagosjen e disa dhjetëra ushtarëve aleatë”, thuhet në komunikatën e MPJ-s polake.

Aty thuhet se qëllimi i pranisë së forcave ndërkombëtare në Kosovë është të garantojë sigurinë e të gjithë banorëve të rajonit.

“Shprehim solidaritetin tonë me ushtarët e KFOR-it të plagosur gjatë kryerjes së detyrës”.

Ndërkaq, nga Polonia theksuan “se u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet e njëanshme, të cilat mund të shkaktojnë përshkallëzim të situatës”.

“Ne u bëjmë thirrje atyre që të ndalojnë dhunën, të deskalojnë situatën dhe t’i kthehen dialogut nën patronazhin e Bashkimit Evropian, si dhe të zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, përfundojnë ata.

Dhjetëra pjesëtarë të KFOR – kryesisht hungarezë dhe italianë – u lënduan gjatë një ndërhyrjeje për t’i shpërndarë protestuesit serbë në Zveçan të hënën. Pasi paqeruajtësit e NATO-s kërkuan nga protestuesit të shpërndahen, ata nuk pranuan dhe hodhën gurë, shok-bomba e koktej molotovi.

Gjithashtu, veturat e ekipeve të gazetarëve kosovarë janë dëmtuar të hënën dhe të martën nga persona të panjohur në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan. Veturave u janë shpërthyer gomat dhe në to janë vizatuar simbole nacionaliste serbe. Janë dëgjuar edhe këngë shoviniste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore