Shqipëria

Politika shqiptare shpreh ngushëllimet për vdekjen e Kolë Berishës


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, të dielën e 29 gushtit, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të një prej politikanëve më të njohur të Republikës së Kosovës, Kolë Berisha.

Ai e cilësoi si një nga politikanët e urtë dhe vizionar të Kosovës, deputet në disa legjislatura dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Rugova.

“Është një humbje e madhe për familjen, miqtë dhe kolegët, të cilëve ju shpreh ngushëllimet më të thella”, shkruan ai në median sociale Facebook.

Në përfundim Meta shkruan se ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës do të kujtohet gjithmonë.

“Urtësia, veprimet e matura dhe të mençura politike të Bacës Kolë do të kujtohen gjithmonë me nderim!”, e mbyll Presidenti i Shqipërisë.

Po ashtu edhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka shprehur ngushëllimet për Berishën.

“Kolë Berisha ishte një personalitet poliedrik: mësues dhe edukator me influencë, shkrimtar i shquar, njeri i aksionit politik, luftëtar i lirisë, veprimtar i palodhur shoqëror dhe frymëzues i tolerancës e mirëkuptimit, deputet i respektuar dhe kryeparlamentar autoritar”., shkruhej në mesazhin e Kryetarit të Kuvendit.

Ruçi kujtoi kontributin e tij në jetën politike. lidershipin, energjitë e tij dhe përndjekjen prej regjimit serb.

“Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim i shpreh familjes, institucioneve dhe popullit të Kosovës ngushëllimet për këtë humbje të madhe”, mbyll Ruçi mesazhin ngushëllues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore