Shqipëria

Politika shqiptare ngushëllon familjarët e 46 viktimave të Bullgarisë


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ngushëlloi familjet e viktimave pas aksidentit tragjik të 23 nëntorit.

“Në këto çaste të rënda i shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve dhe autoriteteve të vendit fqinj, si dhe uroj shërim sa më të shpejtë dhe të plotë për të mbijetuarit!”, shkruan presidenti në mesazhin e tij.

Për Metën ky është “një hidhërim i madh dhe trishtim i thellë për humbjen aksidentale tragjike të jetës të bashkëkombësve tanë nga Maqedonia e Veriut”.

Reagimi kryeministrit Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shpërndarë një mesazh pas aksidentit tragjik që mori jetën e 46 personave – mes tyre 45 shqiptarë të Maqedonisë së Veriut – në mediat sociale.

“S’ka fjalë për tragjedinë e autobusit nga Maqedonia e Veriut në Bullgari, ku kanë humbur jetën thuajse të gjithë udhëtarët…Dhimbje”, shkruan kryeministri.

Reagimi i Xhaçkës

Ministrja shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, reagoi në Twitter pas aksidentit tragjik në Bullgari duke i shprehur ngushëllimet familjarëve të viktimave.

“Dhimbje e madhe për 45 jetët e humbura të shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut gjatë aksidentit tragjik në Bullgari”, shkruan zyrtarja shqiptare.

Ajo u uroi shërim të shpejtë të plagosurve.

“Shqipëria është pranë në këtë moment të vështirë!”, përmbyll mesazhin ngushëllues ministrja shqiptare.

Reagimi i kryetares së Kuvendit

“Dhimbje e thellë për tragjedinë e aksidentit të udhëtarëve nga Maqedonia e Veriut në Bullgari”, shkruan kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Kjo e fundit  shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave.

“Ju jemi pranë në këto momente tejet të vështira”, përmbylli Nikolla.

Reagimi i kryedemokratit Basha

“I shokuar nga tragjedia e tmerrshme në Bullgari që shkaktoi humbjen e kaq shumë jetëve të pasagjerëve, përfshirë shumë bashkombas tanë e mes tyre shumë të mitur”, shkruan fillimisht kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Kryedemokrati ndau ngushëllimet më të ndjera për familjet e viktimave.

“Zoti ju dhëntë forcë në përballimin e kësaj dhimbje të tmerrshme”, vijon ngushëllimin Basha.

Reagimi i Peleshit

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi e konsideron të tmerrshëm lajmin për vdekjen e 45 qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në Bullgari.

“Ngushëllime familjeve të viktimave, shërim të shpejtë të plagosurve. Populli shqiptar qëndron pranë vëllezërve dhe motrave tona në këto çaste sa tragjike aq dhe të vështira”, shkruan ministri në mesazhin e tij të ngushëllimit.

Reagimi i Spiropalit

“Dhimbje për 46 jetët e humbura në aksidentin tragjik në Bullgari, mes tyre 12 fëmijë”, është shprehur në mesazhin e saj ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Më tej ajo shkruan se u gjendet “me zemër pranë familjeve të viktimave, popullit dhe shtetit të Maqedonisë së Veriut”.

Reagimi i Margaritit

“I dhimbshëm u gdhi ky mëngjes…”, nis mesazhin ngushëllues ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Humbja e jetëve në aksidentin tragjik në Bullgari, sipas saj, është e pangushëllueshme.

“U jemi pranë sot të gjithë atyre që humbën njerëzit e dashur! Kurajë për të përballuar këtë moment të vështirë!”

Reagimi i kryebashkiakut Veliaj
“Fort i trishtueshëm lajmi për tragjedinë e aksidentit të udhëtarëve nga Maqedonia e Veriut në Bullgari. Ngushëllime familjeve!”, shprehet kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në mesazhin e tij.
Reagimi i nënkryetares së PD-së

“Tragjik aksidenti fatal i ndodhur oret e para te mengjesit dhe humbja e jetes per 45 shqiptare te Maqedonise se Veriut! Mendimet tona jane sot me familjaret, miqte e te afermit e tyre! Pushofshin ne paqe!”, u shpreh nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore