Lajme

Aksident tragjik me 46 viktima në Bullgari – 45 ishin shqiptarë të RMV-së


Të paktën 46 persona kanë vdekur, 45 prej tyre shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, pasi një autobus u përfshi nga flakët në orët e para të 23 nëntorit.

Sipas autoriteteve bullgare, ky incident ndodhi në një autostradë të Bullgarisë perëndimore.

Mes viktimave ishin dhe 12 fëmijë. Shtatë persona me djegie u dërguan në spitalin e kryeqytetit, Sofje, tha për televizionin BTV kreu i departamentit të sigurisë nga zjarri në Ministrinë e Brendshme bullgare, Nikolai Nikolov.

“Të paktën 45 njerëz u vranë pasi një autobus mori flakë dhe u rrëzua, ose u përplas dhe më pas mori flakë”, tha Nikolov.

Ministria e përditësoi më pas numrin në 46. Në bord kishte gjithsej 53 persona.

Një zyrtar nga spitali i urgjencës së Sofjes tha se shtatë personat që po merrnin trajtim ishin hedhur nga autobusi që po digjej.

Të gjithë janë në gjendje të qëndrueshme për jetën.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se pasagjerët po ktheheshin në Shkup pasi një udhëtimi në fundjavë në Stamboll.

Aksidenti ndodhi në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes rreth orës 2 të mëngjesit.

Shumica e viktimave ishin nga Maqedonia e Veriut, tha për BTV-në një zyrtar nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Sofje.

Deri më tani hetimet dyshojnë se dy janë shkaqet që kanë dërguar në këtë aksident tragjik.

E para ka të bëjë për një defekt teknik të mjetit dhe e dyta me përgjumjen e shoferit.

Shërbimi Hetimor Kombëtar ka marrë përsipër hetimin për shkak të numrit të madh të viktimave.

“Ka patur një shpërthim”

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili ndodhet në Sofje, gjatë takimit që ka patur me një të mbijetuar ka treguar se ai kishte dëgjuar një shpërthim.

“Ai më tha se ka dëgjuar një shpërthim. Ai dhe gjashtë të mbijetuarit e tjerë kanë thyer dritaret e autobusit dhe kanë arritur të shpëtojnë. Viktimat e tragjedisë janë njerëz të moshave të reja nga 25-30 vjeç, ka dhe fëmijë. Tragjedia është e madhe”, është shprehur kryeminstri maqedonas në një intervistë për Bulgaria ON AIR.

Zaev gjendet në spitalin “Pirogov” ku është takuar me të mbijetuarit nga aksidenti që mori jetën e 46 personave – mes tyre 45 shqiptarë të RMV-së.

Numri një i qeverisë theksoi se nuk do të ketë një hetim paralel të autoriteteve maqedonase lidhur me ngjarjen.

“Iu besojmë kolegëve tanë bullgarë. Nëse u duhet ndihmë, jemi të gatshëm të ndihmojmë në hetim. Tani më e rëndësishmja është të ndihmojmë të lënduarit’’, ravijëzoi në përmbyllje Zaev.

Reagimi i kryeministrit Zaev

Zaev, do të shprehte më herët në Twitter ngushëllimet e tij drejtuar familjeve të viktimave nga aksidenti tragjik i 23 nëntorit.

“I shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjeve të qytetarëve të Maqedonisë të vrarë në aksidentin e autobusit që ndodhi mbrëmë në Bullgari”, shkruan fillimisht kryeministri maqedonas.

Zaev deklaroi se gjendet në Sofje, bashkë me ministrin maqedonas të Shëndetësisë, Venko Filipche dhe ministrin e Jashtëm maqedonas Bujar Osmani.

Reagimi i presidentit Meta

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ngushëlloi familjet e viktimave pas aksidentit tragjik të 23 nëntorit.

“Në këto çaste të rënda i shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve dhe autoriteteve të vendit fqinj, si dhe uroj shërim sa më të shpejtë dhe të plotë për të mbijetuarit!”, shkruan presidenti në mesazhin e tij.

Për Metën ky është “një hidhërim i madh dhe trishtim i thellë për humbjen aksidentale tragjike të jetës të bashkëkombësve tanë nga Maqedonia e Veriut”.

Reagimi i kryeministrit Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shpërndarë një mesazh pas aksidentit tragjik që mori jetën e 46 personave – mes tyre 45 shqiptarë të Maqedonisë së Veriut – në mediat sociale.

“S’ka fjalë për tragjedinë e autobusit nga Maqedonia e Veriut në Bullgari, ku kanë humbur jetën thuajse të gjithë udhëtarët…Dhimbje”, shkruan kryeministri.

Reagimi i Xhaçkës

Ministrja shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, reagoi në Twitter pas aksidentit tragjik në Bullgari duke i shprehur ngushëllimet familjarëve të viktimave.

“Dhimbje e madhe për 45 jetët e humbura të shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut gjatë aksidentit tragjik në Bullgari”, shkruan zyrtarja shqiptare.

Ajo u uroi shërim të shpejtë të plagosurve.

“Shqipëria është pranë në këtë moment të vështirë!”, përmbyll mesazhin ngushëllues ministrja shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore