Lajme

Policia s’ka pranuar akoma kërkesë për largimin e strukturave paralele nga objekti në Veri


Mitrovica e Veriut.

Zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani, ka bërë të ditur se komuna s’ka kërkuar akoma asistencë për largimin e strukturave paralele serbe nga objekti që ndodhet në Lagjen e Boshnjakëve.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar Elshani, duke thënë se kanë gatishmëri për të vepruar në rast se ju kërkohet një gjë e tillë.

“Nuk ka ndonjë kërkesë për asistim për rastin e ultimatumit. Çka mund të them është se ne jemi të gatshëm të veprojmë në çfarëdo ore në rast se kërkohet asistenca jonë”, tha Elshani për AP.

Ai ka thënë se në rast se do të pranojnë një kërkesë për largimin e strukturave paralele nga objekti në Veri, do të dalin me komunikatë për media.

Punëtorët e katër institucioneve të cilët janë aktualisht në ndërtesën e kontestuar e të cilat financohen nga Qeveria e Serbisë i kanë thënë Kosovo Online se pas përfundimit të orarit të enjten nuk kanë shkuar në shtëpi, por kanë qëndruar në vendet e tyre të punës, për të treguar, siç kanë thënë, ata kundërshtinë e tyre ndaj vendimit.

Një aksion për largimin e këtyre institucioneve të Serbisë nga objekti komunal në Mitrovicë të Veriut, fillimisht ishte paraparë të zhvillohej më 25 gusht, por ishte shtyrë për dy javë.

Pamje nga vendi i ngjarjes.

Para kësaj, inspektorati komunal u kishte dërguar këtyre institucioneve një paralajmërim që të lironin zyrat pasi ato nuk kishin dorëzuar dokumente apo kontrata për të dëshmuar se kanë leje ta shfrytëzojnë objektin.

Ditë më parë Lista Serbe përmes një komunikate për media ka njoftuar se do ta shpërfillë “ultimatumin” e vendosur nga ana Komunës së Mitrovicës së Veriut për largimin e institucioneve paralele të Serbisë nga objekti i saj në Lagjen e Boshnjakëve.

Në anën tjetër Bashkimi Evropian kishte konsideruar se vendimi i autoriteteve lokale në Mitrovicën e Veriut për largimin e institucioneve ilegale serbe nga ndërtesa komunale në Lagjen e Boshnjakëve është në kundërshtim me përpjekjet për de-eskalimin e situatës në Veriun e vendit dhe uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënës i BE-së, Peter Stano, në një deklaratë për media është shprehur i shqetësuar për ndikimin që mund të kenë në situatën e sigurisë në pjesën Veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe vendimet e fundit të autoriteteve lokale për përdorimin e hapësirës dhe ndërtesave komunale.

Në këtë drejtim, zëdhënësi i BE-së ka nënvizuar ndër të tjera se për çështjen e strukturave ilegale të udhëhequra e financuara nga Serbia, duhet të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Vendimi për ndërtesën komunale në Mitrovicën e Veriut u kontestua edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës e cila të mërkurën bëri me dije se vendimi i autoriteteve lokale të Mitrovicës së Veriut, për lirimin e një ndërtese komunale nga personat që punojnë për administratën e Serbisë, nuk është marrë në koordinim me bashkësinë e organizuar ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore