Shqipëria

Policia nis aksionin e madh, monitoron rrugët me makinat inteligjente


Policia e Shtetit ka nisur një aksion të madh monitorimi në gjithë rrugët e Shqipërisë, duke vendosur në përdorim edhe pajisje inteligjente e dronë vëzhgues, teksa nuk kanë munguar këshillat për drejtuesit e mjeteve.

“Mos shpejtoni për të arritur sa më shpejt në destinacion, duke rrezikuar jetën tuaj dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës, por kujdesuni të arrini sa më të sigurt në destinacion”, shkruhet në njoftimin e strukturave të rendit, duke publikuar edhe disa pamje nga aksioni i së dielës.

Ndër këshillat kryesore të publikuara, qëndron ajo e shmangies së manovrave të gabuara, apo parakalimeve të tilla, në segmente rrugore, duke u kthyer kështu në rrezik potencial për aksidente me pasojë vdekjen.

Shpejtësia tej normave të lejuara, paraqitet si kërcënim për jetën, ndaj ajo duhet evituar dhe duhen zbatuar sinjalistikat rrugore të vendosura përgjatë gjithë segmenteve.

Në raste fluksi, këshillohet nga rrugorja të zgjidhen rrugë alternative, të cilat mund të ndihmojnë në lehtësimin e trafikut.

Ndërsa, dënimet më të ashpra shkojnë për ata, të cilët konsumojnë pije alkoolike gjatë drejtimit të mjetit.

“Shpejtësia, parakalimet e gabuara, mosvendosja e rripit të sigurimit, përdorimi i celularit dhe drejtimi i mjetit në gjendje të dehur, janë shkelje lehtësisht të verifikueshme nëpërmjet pajisjeve bashkëkohore që tashmë Policia Rrugore ka në dispozicion”, përmbyllet njoftimi i Policisë, nën moton, “Siguria rrugore, kontribut i të gjithëve”.

Ky shtim i masave vjen pas disa ngjarjeve tragjike në rrugët shqiptare, ku më kryesorja ishte ajo e tre të rinjve, të cilët humbën jetën pas një aksidenti të frikshëm rrugor, në zonën e mbikalimit të Saukut.

Sipas dinamikës së ngjarjes, me një shpejtësi tej normave të lejuara, një shofer 20-vjeçar, duke drejtuar një mjet tip “Audi”, çau barrierat rrethuese dhe ra nga mbikalimi në aksin rrugor të Unazës Lindore, ku goditi një tjetër mjet mbi kofano dhe u përplas me pas me murin rrethues të rrugës, duke i lënë të tre të rinjtë në mjetin “Audi” të vdekur.

Tre persona të tjerë, të cilët gjendeshin në mjetin tjetër të goditur, u plagosën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore