Lajme

Policia konfirmon arrestimin e një personi në pikën kufitare Jarinjë


Policia e Kosovës përmes një komunikate zyrtare ka njoftuar se është arrestuar një person në pikën kufitare Jarinjë, i cili raportohet të jetë ish-punonjës i Policisë së Kosovës.

“Sot, në orët e mbrëmjes në pikë kalimin kufitar Jarinje, është ndaluar një mashkull kosovar (M.J.), mbi bazën e urdhërarrestit aktiv të lëshuar nga Gjykata Themelore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Tutje, nga policia bëhet me dije se i arrestuari dyshohet për disa lloje të veprave penale.

“I dyshuari kërkohej mbi dyshimet e bazuara për përfshirje në veprat penale si; krim i organizuar, marrje e mitos dhe keqpërdorim i autorizimit”.

Ndërkaq, në komunikatë thuhet se “të gjitha veprimet dhe procedurat e mëtejme, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”.

Ndërsa, pas arrestimit i menjëhershëm ka qenë reagimi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, të cilët pretendojnë se ky arrestim “është vazhdimësi e presionit dhe persekutimit të popullit serb që jetojnë në Kosovë”, paçka se në njoftimin e Policisë së Kosovës i arrestuari akuzohet për krim të organizuar.

Ndryshe, një nga mediat e pakta në gjuhën serbe në Kosovë, “Kosovo-Online”, raportoi mbrëmjen e së martës se një ish-polic serb me inicialet M.J, është arrestuar në pikëkalimin kufitar në Jarinjë derisa po udhëtonte për në Leposaviq.

Mediumi në fjalë pretendon se bashkëshortja e të arrestuarit, ka deklaruar se atyre u është thënë se “diçka nuk po shkon, por janë lejuar të vazhdojnë udhëtimin” në drejtim të Serbisë.

Bashkëshortja e të arrestuarit, siç pretendon media në fjalë, tha se ata janë mbajtur për një orë e gjysmë, dhe më pas, bashkëshorti i saj është marrë nga Policia e Kosovës dhe është dërguar në drejtim të Mitrovicës së Veriut.

Vitin e kaluar serbët lokalë ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët në veri pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin serb, Dejan Pantiç, nën dyshimet për sulm terrorist ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore