Shqipëria

Policia e Shtetit forcon masat për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë sezonit turistik


Policia e Shtetit duket se prioritet kryesor këto kohë ka garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik.

Drejtuesit e Policisë së Shtetit vijojnë inspektimin e masave të ndërmarra nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin Drejtues i Lartë Saimir Boshnjaku, bashkë me Shefin e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë Fadil Veli dhe Shefin e Komisariatit të Policisë Sarandë Gerald Toska, kanë parë nga afër zbatimin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë në portin e Sarandën dhe në plazhin e Ksamilit.

Boshnjaku ka thekuar se Policia e Shtetit është mjaft e angazhuar dhe do të vijojë të jetë e tillë, gjatë gjithë sezonit turistik, me qëllim që qytetarët të pushojnë të qetë dhe të sigurt.

“Policia e Shtetit është shumë e angazhuar për mbarëvajtjen e këtij sezoni turistik, qoftë në det dhe në tokë. Nga pjesëtarët e të dy komisariateve ka patur dhe ka një angazhim maksimal për rend, siguri, për të ofruar një shërbim më të mirë ndaj qytetarëve dhe për të qenë një shembull shumë pozitiv në menaxhimin e këtij sezoni”, ka thënë ai.

Sipas tij, e gjithë kjo bëhet me kontributin e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke patur si synim kryesor ofrimin e sigurisë, qoftë në det dhe në tokë.

Kurse Veli ka thënë se “në zbatim të planit të masave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, Komisariati i Policisë Kufitare Sarandë ka marrë të gjitha masat për garantimin e sigurisë në det”.

“Janë marrë të gjitha masat edhe në pikat e kalimit kufitar, në hyrje-daljet e qytetarëve shqiptarë dhe të huaj. Kemi marrë masa edhe në kufirin jeshil, për parandalimin e trafiqeve të paligjshme, ku risi këtë vit është bashkëpunimi me Frontex-in, në të gjithë sektorin që mbulon Komisariati i Policisë Kufitare Sarandë”.

Po ashtu ka bërë me dije se në pikat e kalimit kufitar janë shtuar postet e punës për fluksin gjatë sezonit turistik.

“Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën bregdetare, nga Borshi deri në Ksamil, janë ndëshkuar me masa administrative 25 përdorues të mjeteve lundruese, për shkelje të rregullave të lundrimit në det dhe për cenim të sigurisë së pushuesve”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, Toska ka thënë se “shërbimet në terren, në çdo kohë për të garantuar rendin, sigurinë dhe qetësinë e pushuesve”.

“Patrulla me biçikleta është në koordinim të vazhdueshëm me Njësinë Detare. Nuk do të ketë asnjë tolerim për individët që shkelin perimetrin e sigurisë, duke vënë në rrezik jetën e pushuesve. Gjithashtu, nga Komisariati janë marrë masa për parandalimin e ndotjes akustike”, ka thënë ai.

Inspektimi nga drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, në terren, për zbatimin e masave për sezonin turistik, do të vijojë përgjatë gjithë vijës bregdetare dhe në zonat turistike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore