Kosova

Policia e Kosovës konfiskon 91 kilogramë lëndë narkotike në Podujevë


Policia e Kosovës në një konferencë të jashtëzakonshme

Policia e Kosovës apo më saktësisht Drejtoria e Hetimit të Trafikut të Narkotikëve, pas hetimeve të ndërmarra disa muaj të koordinuara me Prokurorinë Themelore për Krimet e Rënda në Prizren, mbrëmë me datën nëntë shkurt rreth orës 20:20 ka ndërmarrë një operacion taktik në fshatin Konushevcë të komunës së Podujevës, ku me ç’rast ka konfiskuar 91 kilogramë lëndë narkotike të tipit marihuanë.

“Hetuesit policor fillimisht kanë monitoruar paraprakisht të gjitha lëvizjet e të dyshuarave me veturën e tyre dhe kanë dhënë urdhër që vetura i dyshuar të ndalet”, ka thënë Major Reshat Murseli në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

Sipas Drejtorit të Drejtorisë së Narkotikëve, të dyshuarit me vepra kriminale nga e kaluara nuk e kanë përfillur urdhrin policor për ndalje por, përkundrazi kanë rritur intensitetin e tyre të lëvizjes me veturë me tabela Gjermane duke kanosur dhe rrezikuar jetën e policëve.

Gjatë ikjes, vetura ka goditur një hetues policor, i cili ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe i janë shkaktuar dëme materiale veturës.

Kjo kanosje e zyrtarëve policorë ka detyruar këta të fundit që të përdorin edhe armën e zjarrit ku me ç’rast kanë shkrepur dy plumba në drejtim të dyshuarve.

“Ndërsa vetura është ndaluar i dyshuari braktis veturën dhe arrin të arratiset në këmbë në drejtim të panjohur. Në veturë brenda saj policia ka gjetur 34 paketime me marihuanë me peshë mbi 91 kilogramë”, tha policia në konferencë

Murseli ka bërë të ditur se droga dyshohet se ka origjinën nga Shqipëria me destinim final Bashkimin Europian.

“Droga dyshohet se ka origjinë nga Shqipëria dhe ka kaluar përmes Prizrenit në Podujevë. Ka pasur destinim final vendet e BE-së”.

Në lidhje me këtë rast është arrestuar një person i moshës 55 vjeçare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore