Shqipëria

Polici që vrau kolegun, akuzohet për vrasje me paramendim


Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore zbuloi në kuadër të hetimeve se, punonjësi i policisë, i cili vrau kolegun e tij, akuzohet për vrasje me paramendim.

“Drejtoria Rajonale e AMP-së Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas kryerjes së veprimeve të para hetimore ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Ludian Zaimi, me detyrë oficer i patrullës përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje me paramendim’, parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal”, shkruhet në njoftimin zyrtar.

AMP-ja ka qenë e angazhuar maksimalisht për hetimin dhe dokumentimin e plotë të ngjarjeve të ndodhura në qytetin e Tiranës.

Arrestimi i punonjësit të policisë u krye në ambientet e brendshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë.

Agjencia vëren se efektivi ka qëlluar disa herë me armën e shërbimit pas një konflikti për motive të dobëta, punonjësin e policisë, Çaush Saliasi.

Ky i fundit, si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë në spital.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore