Lajme

Plenkoviç: Mirëpresim kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE


Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, është shprehur i gatshëm që të vazhdoj tutje mbështetjen ndaj Kosovës.

Përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’, Plenkoviç ka thënë se vendi i tij e mirëpret aplikimin e Kosovës për në Bashkimin Evropian.

“Mirëpresim kërkesën e Kosovës për anëtarësim Bashkim Evropian dhe i urojmë shumë suksese në rrugëtimin e tyre evropian! Ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje dhe të ndajmë përvojat kroate”, ka shkruar ai.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës ka bërë një përllogaritje të kohës që u ka marrë vendeve të ndryshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian nga momenti i aplikimit deri te pranimi dhe beson se Kosovës i duhen diku rreth nëntë vjet, si kohë mesatare e pranimit të shteteve në union.

Matematikën e tij e ka prezantuar në momentin kur zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin e Kosovës për Bashkim Evropian, në një konferencë për media me ministrin e Republikës së Çekisë për Çështje Evropiane Mikulash Bek.

“BE është destinacion që synojmë dhe fati që përqafojmë, ndërsa BE-ja paraqet punën e zellshme që duam të gëzojmë. Ka vende si Suedia që u ka zgjatuar tri vjet koha nga aplikimi deri te pranimi dhe ka të tjera si Malta që u ka zgjatuar 14 vjet. Prandaj, një mesatare prej nëntë vjetësh është reale për republikën e Kosovës që ta paguajë për anëtarësim”, tha Kurti.

Dorëzimi u bë në Pragë, në kryeqytetin çek, meqë presidencën e Këshillit Evropian, sipas rrotacionit gjashtëmujor, e mban aktualisht Republika e Çekisë.

“Kjo është një ditë historike për popullin e Kosovës dhe një ditë e jashtëzakonshme për demokracinë në Evropë”, pohoi Kurti, derisa shtoi se “letra që sjellë sot bartë shpresat dhe ëndrrat e popullit tonë”, pasi, sqaroi Kurti, “me Bashkimin Evropian ndajmë vlerat e përbashkëta”.

Aplikimi i Kosovës tha kryeminsitri “i përgjigjet vizionit të Evropës që është e plotë dhe në paqe dhe një Evropë që ka të ardhme të ndritshme bashkëpunuese”.

“Na nevojitet ndihma e BE-së në Kosovë që si shtet dëshiron të jap kontributin e vetë në BE”.

Pos Kurtit, privilegj e cilësoi momentin edhe ministri Mikulash Bek.

Ai deklaroi se e ka për nder që si kryesues i këshillit të BE-së, “të pranoj aplikacionin e Kosovës”.

“Më vjen mirë që duke e bërë këtë ne jemi duke plotësuar një nga prioritet e presidencës sonë, sepse gjatë muajve të fundit ne i kemi dhënë një rëndësi të veçantë Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Bek.

Ai s’la pa përmendur edhe angazhimin e Çekisë në çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe përmendi arritjen e fundit, të ndodhur të mërkurën e një dite më parë, kur Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian arritën pajtim dhe marrëveshje për vizat për Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore