Lajme

Petritsch: Gjermania dëshiron të parandalojë hapjen e një fronti të ri në Evropë, Kurti të jetë më fleksibil


Wolfgang Petritsch

Qëllimi i kancelarit gjerman, Olaf Scholz, i cili do të zhvillojë takime të ndara me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është kontribuimi në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, në atë mënyrë që të parandalojë hapjen e një fronti shtesë në Evropë, pas invazionit rus në Ukrainë.

Kështu të paktën thotë, Wolfgang Petritsch, ish i dërguari i Bashkimit Evropian në Kosovë, i cili mes tjerash ka potencuar se takimi në fjalë duhet lexuar si dëshira e shtetit gjerman për të qenë më aktivë në Ballkanin Perëndimor.

“Fakti që kancelari Scholz ka marrë iniciativën për të trajtuar çështjet e pazgjidhura në Ballkan do të thotë se Gjermania synon të zgjidhë çështjet për të cilat Moska mund të jetë e interesuar”, ka thënë Petritsch për agjencinë e lajmeve serbe, Tanjug.

Diplomati gjerman ka theksuar se përfshirjen më aktive të Gjermanisë në Gadishull, e ka përgatitur shefja e diplomacisë, Annalena Baerbock, gjatë vizitës së saj të fundit në Prishtinë dhe Beograd.

“Nëse lufta në Ukrainë shihet si një konflikt evropian, siç është, atëherë çështjet e pazgjidhura në tokën e kontinentit të vjetër tani duhet të analizohen në detaje dhe të përpiqen të zgjidhen, ose të paktën të parandalohen, nga përshkallëzimi”, ka shtuar ai.

Për Petritsch, takimi në fjalë do të jetë shumë i rëndësishëm sidomos për Kurtin, i cili sipas Petritsch duhet “të bëjë hapa para” për të vazhduar dialogun.

“Këto bisedime do të tregojnë se sa është Kurti i gatshëm të jetë fleksibël, dhe të kontribuojë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Më kujtohen bisedimet e Rambujesë kur një negociator rus tha se për të valëzuar duhen dy persona. Pra për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, të dyja palët duhet të tregojnë përgjegjësi më të madhe”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore