Kosova

Përsëri protesta kundër ndërmarrjes “Parking Prishtina” – banorët e “Qendrës” të revoltuar me gjobitjet


Banorët duke protestuar kundër "Prishtina Parking"

Të martën e 22 marsit, banorët e zonës së “Qendrës” në Prishtinë kanë protestuar në shenjë revolte ndaj ndërmarrjes “Prishtina Parking”, e cila po vazhdon të gjobitë banorët rezidentë.

Banorët protestues në duart e tyre mbanin pankarta që përfshin shkrime të tilla si: “Turp Prishtina Parking”, “Ndaleni ndëshkimet e banorëve rezident”, “Vota jonë është përgjegjësi e juaja”, teksa përfaqësuesja e kësaj lagjeje, Violeta Hasani, ka thënë se vetëm të hënën e 21 marsit, janë gjobitur mbi 200 banorë.

Madje, duke folur rreh gjobitjes të së hënës, Hasani ka thënë të ketë ndodhur edhe një incident ndërmjet banorëve dhe punëtorëve të “Prishtina Parking”.

Banorët duke protestuar kundër “Prishtina Parking”

“Me ndal këtë veprimtari ‘Parking Prishtina’, në zonën ku ne banojmë sepse kjo është zonë kolektive nuk është publike. Kompania duhet me dal me një prononcim me na tregu për çka janë gjobit dje më shumë se 200 banorë, ndërsa unë kam fakte që zyrtarët e institucioneve nuk janë gjobit”, ka thënë Hasani.

“Dje ka eskaluar situata në lagjen tonë, e kam kontaktuar policinë, më kanë thanë që nuk është punë e policisë është e komunës. E kam thirr komunën inspekcionin komunal nuk kanë ardhë, e kam thirr kryeshefin e tyre Alban Imeri por nuk është përgjigj në telefon, situata ka qenë jashtëzakonisht e tensionuar”, ka shtuar ajo për EO.

Hasani është zotuar se protesta të tilla do të vazhdojnë të organizohet nëse kërkesat e tyre nuk realizohen, ndërsa nuk i ka kursyer kritikat edhe për Kryeatrin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën.

“Protesta ka me vazhdu do të jetë më madhore. Kërkojmë nga kryetari Përparim Rama se mu bë kryetar unë jam taku me të dhe ja kam tregu problemin që po ballafaqoheni, ai ka dhënë shumë fjalë premtuese. Jo nuk kemi marr përgjigjie, jam tu e prit ata janë të obliguat me ma kthy një përgjigje”, ka thënë ajo.

“Protesta u thirr mbrëmë për sot, unë po ju garantoj nëse nuk ka me vepru komuna e Prishtinës diçka ne nuk kemi me i ndalu protestat. Kjo protestë ka me qënë më e vogla që ka me mujt me bë”, ka shtuar ajo.

Mes tjerash, përfaqësuesja e kësaj zone ka thënë se do të ngritin padi kundër “Prishtina Parking”.

“Nesër kemi me dorëzu edhe një padi kundër ‘Prishtina Parking’, në Gjykatë. E le të vendos Gjykata për pezullim, brena tri dite kthehet përgjigja, ndërsa padia vazhdon”, u shpreh ajo.

Gjithsesi, edhe të premten e 18 marsit, banorët e lagjes “Lakrishta”, “Qendra”, “Bregu i Diellit” dhe “Santea”, kishin protestuar para Komunës së Prishtinës kundër ndërmarrjes “Prishtina Parking”, e cila i vendosi laurat në lagjen e tyre.

Protesta e banorëve para komunës së Prishtinës.

Qytetarët ishin mbledhur me qëllim të dorëzimit të disa kërkesave, mirëpo të njëjtit nuk u lejuan të hyjnë brenda.

Nga Komuna iu është thënë se duhet të presin deri sa të njoftohen zyrtarët, ndërkohë që para objektit të Komunës së Prishtinës kanë qëndruar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Më 2 mars, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, është ankuar për probleme me parkingjet në Prishtinë për të punësuarit në kryeqytet.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore