Lajme

“Përpjekje për destabilizimin e Ballkanit”, SHBA-të sanksionojnë shtatë rusë


Autoritetet amerikane kanë vendosur sanksione ndaj shtatë anëtarëve të një grupi rus të lidhur me shërbimet e inteligjencës për përpjekjet e tyre për të destabilizuar Ballkanin.

Lajmi u bë i ditur nga Departamenti i Thesarit Amerikan, duke cituar një njoftim për shtyp.

“Aktorët e ndikimit malinj të caktuar sot (5 qershor – ed.) nga OFAC janë pjesë e një operacioni të madh global informacioni të lidhur me Federatën Ruse që synon Ukrainën, vendet në kufi me Ukrainën duke përfshirë Moldavinë, vendet e Ballkanit, Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara”, vëren deklarata e Thesarit.

Sipas autoriteteve amerikane, këta aktorë provokuan, trajnuan dhe mbikëqyrën grupet në vendet demokratike që zhvillojnë protesta, mitingje, marshime dhe demonstrata antiqeveritare.

“Këta operativë me ndikim malinj analizojnë vendet e cenueshme ndaj shfrytëzimit dhe ngjallin frikë që minojnë besimin në parimet demokratike në vendet e synuara”, shtoi njoftimi.

Departamenti Amerikan i Thesarit deklaroi se Konstantin Sapozhnikov, një nga individët e sanksionuar, drejtoi grupin dhe gjithashtu organizoi komplotin për të destabilizuar qeverinë moldave.

Personat e tjerë të sanksionuar janë Yury Makolov, Gleb Khloponin, Svetlana Bojko, Aleksei Losev, Vasily Gromovikov dhe Anna Travnikova.

Në shkurt dhe mars, mijëra njerëz dolën në rrugë në kryeqytetin moldav, Chisinau, kundër presidentes Sandu dhe qeverisë pro-perëndimore të Moldavisë.

Protestuesit kërkuan dorëheqjen e Sandu-s dhe i kërkuan qeverisë të paguajë faturat e qytetarëve pas rritjes së çmimeve të energjisë të shkaktuar nga vendimi i Rusisë për të ulur eksportet e gazit natyror në Evropë.

Shumë individë u identifikuan si të lidhur me Partinë Shor, e cila ka lidhje të ngushta me Rusinë.

Ilan Shor, biznesmeni që themeloi Partinë Shor, u largua nga Moldavia pas zgjedhjes së Sandu në 2019.

Sandu dhe qeveria e saj synojnë që Moldavia, një ish-republikë sovjetike, të bashkohet me Bashkimin Evropian dhe të çlirohet nga ndikimi i Moskës. Kremlini kundërshton entuziazmin e Moldavisë për Perëndimin dhe ka përdorur burimet e saj energjetike si një mjet për ta ndëshkuar atë.

Megjithatë, Rusia ka mohuar çdo përfshirje në ndonjë komplot të fshehtë për të destabilizuar Moldavinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore