Lajme

Përmbytjet në Gjermani:”Një trishtim i veçantë”


Terrenet e Lebenshilfe Haus në Sinzig, Gjermani, Foto: Lena Mucha, The New York Times

“Nëse përmbytjet katastrofike që kanë goditur Gjermaninë kanë një qendër emocionale, ajo është në Sinzig, një qytet i vogël midis lumenjve Rhine dhe Ahr”, shkruan korrespondenti i “The New York Times”, Steven Erlanger.

Në të gjithë Gjermaninë shifrat e viktimave përllogariten mbi 165 dhe me qindra të tjerë të zhdukur.

Por, 12 viktimat e Sinzig-ut kanë trishtuar të gjithë vendin dhe janë dëshmi e gjallë se si mund të ishte e shmangur tragjedia, nëse do u kushtohej rëndësi paralajmërimeve.

Bëhet fjalë për persona me aftësi të kufizuara që jetonin në një shtëpi kujdesi, Lebenshilfe Haus, përgjatë rrugës Pestalozzi.

Sipas dëshmive lokale, ata ishin duke fjetur, nën kujdesin e një roje nate.

Vrulli i ujit nga përmbytjet u ngrit papritur, duke u zbardhur e enjtja e 15 korrikut. Ata mbetën të bllokuar në katin e parë të shtëpisë dhe u mbytën.

Fqinjët tregojnë për britmat e tyre, por punonjësit e urgjencës arritën të shpëtonin vetëm 24 banorët e tjerë në katet më të larta.

“Çdo person që vdes është një tragjedi, por ky është një trishtim i veçantë”, tha Tabera Irrle, 23 vjeç, një shofere treni e cila erdhi në Sinzig për të ndihmuar në pastrimin pas përmbytjeve.

Ujërat e zhytën Sinzig-un nën 7 metra, shifra më e lartë e shekullit, tha Andreas Geron, kryetari i bashkisë.

Ai tha se kamionët zjarrfikës u përpoqën të paralajmëronin banorët mbrëmjes e së mërkurës, por shumë pak prej tyre e kishin dëgjuar paralajmërimin.

Dy banorë të tjerë të Sinzig-ut vdiqën në këtë qytet me 20 mijë banorë.

Luis Rufino, 50 vjeç, është një banor i vjetër i Sinzig-ut dhe punon për Shërbimin e Mjedisit GMBH, i cili u shërben komunave të ndryshme në zonë.

Ai po bënte një pushim për të ndihmuar me pastrimin dhe ishte i zemëruar për atë që ndodhi në Lebenshilfe Haus.

“Ishte vetëm një djalë që vëzhgonte këta njerëz të varfër, dhe kur dritat u fikën ata ranë në panik dhe kur përmbytja erdhi ata nuk patën asnjë shans”, u shpreh ai për “NY Times”.

Ulrich van Bebber, kryetari i Lebenshilfe, i cili ka administruar shtëpinë e kujdesit që kur u ndërtua para 27 vitesh, si shtëpia e parë e banimit për personat me aftësi të kufizuara në rajon, u tha gazetarëve më pas se “të gjithë janë të tmerruar, të shtangur dhe pafundësisht të trishtuar”.

“Ne duam ta mbajmë Lebenshilfe Haus si një objekt banimi dhe, nëse është e nevojshme, ta rindërtojmë atë”, deklaroi ai.

Në një qendër tregtare aty pranë, Kaufland, Mina Sabatschus, 19 vjeç, ishte ende e tronditur nga ajo që kishte ndodhur.

“Unë isha aq e tronditur, shumë e trishtuar dhe doja të ndihmoja”, tha ajo.

Zonja Sabatschus është e zemëruar me zyrtarët lokalë dhe federalë.

“Qeveria duhej të kishte bërë më shumë – ata e dinin se po vinte një shi i fortë”, tha ajo.

Sipas saj nuk pati asnjë paralajmërim të vërtetë.

Miqtë e saj thanë se ata ishin veçanërisht të neveritur kur disa politikanë erdhën për të vizituar zonën të veshur me kostume, duke mos folur me banorët në Bad Neuenahr, dhe e bënë “vetëm që të mund të thoshin se ishin aty dhe dolën në lajme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore