Shqipëria

Përkeqësohet situata me zjarret në veri të Shqipërisë


Situata me vatrat e zjarreve në veri të vendit është përkeqësuar, të dielën e 15 gushtit.

Përmes një postimi në median sociale Facebook, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, shkruan se era ka ndikuar në përhapjen e perimetrit të zjarrit në fshatin Flet në Fushë-Arrëz dhe në fshatin Patalej, Lezhë.

Sipas njoftimit, përkeqësim ka edhe në Thirrë, në Mirditë dhe në Majën e Rrunës, Laku i Mollave e Laku i Thive në Kukës.

Po ashtu, bëhet e ditur nga ministri se, “me ritëm të shtuar” është edhe zjarri në fshatin Kaçni në Selishtë të Dibrës.

Ministri ka sqaruar se momentalisht nuk ka asnjë rrezik për zonat e banuara.

Ndër të tjera, Peleshi ka falënderuar edhe Bashkimin Evropian për ndihmën e dhënë në luftën ndaj zjarreve. Mirënjohës është treguar dhe ndaj punës së palodhur të ekuipazheve të helikopterëve holandezë e çekë, të cilët po vazhdojnë ndërhyrjen nga ajri për shuarjen e plotë të zjarreve.

Ministri nuk ka harruar pa përmendur dhe asistencën “e pakursyer” të ekipit të ekspertëve nga Byroja, për Ndihmë Humanitare e USAID e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Prej më shumë se dy javësh, Shqipëria është përfshirë nga zjarre të furishëm që kanë prekur një pjesë të madhe të vendit.

Ndërsa situata më e qetësuar paraqitet në vatrën e zjarrit në Malin e Tërbunit në Pukë, ku ende po punojnë mbi 50 forca të FA për të kryer krehjen e zonës.

Sipas njoftimit, në vatrën e zjarrit në fshatin Flet, Fushë-Arrëz po punohet nga rreth 100 forca të Forcave të Armatosura dhe pushtetit vendor. puna nga ajri e helikopterit holandez, është ndërprerë për shkak të telave elektrikë që ishin shumë lart dhe rrezikonin punën e tij.

Zjarri në fshatin Kaçni, njësia administrative Selishtë bashkia Dibër, po zhvillohet me ritëm të shtuar dhe ka dalë jashtë kontrollit duke u afruar në masivin me pisha në territorin e bashkisë Klos.

Për izolimin e zjarrit sot janë angazhuar rreth 30 forca të bashkisë Dibër, si zjarrfikës, forca pyjore, të bashkisë e vullnetare. Për shuarjen e plotë të zjarrit janë angazhuar edhe forca nga bashkia Mat.

Shqipëria nuk ka qenë e vetme në luftën e saj me zjarret.

“Në mbështetje të vëllezërve dhe motrave në Republikën e Shqipërisë”, ishin dhe trupat e Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Ata ofruan mbështetjen “e plotë” me kapacitetet e tyre në dispozicion të Shqipërisë, sipas ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj.

Po ashtu, dhe “miqtë tanë” ndërkombëtarë, i kanë qëndruar pranë Shqipërisë, me kapacitetet e nevojshme për shuarjen e vatrave të zjarrit.

Komisioni Evropian është mobilizuar duke u ardhur në ndihmë vendeve në parandalimin e përhapjes së zjarreve dhe mbrojtjen e jetës.

Dy helikopterë nga Çekia dhe Holanda janë dërguar për të mbështetur operacionet në Shqipëri, në fikjen e zjarreve.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore