Lajme

Përhapen zjarret në Kosovë, policia raporton disa raste


Ilustrim

Ditëve të fundit në disa vende të Kosovës janë shtuar në mënyrë drastike numri i përfshirjes së zonave pyjore nga zjarri.

Bazuar në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, gjatë ditës së premte janë raportuar 10 vatra të zjarrit në zona të ndryshme të Kosovës.

Në raport bëhet e ditur se rastet e përfshirjes së pyjeve nga zjarri kanë ndodhur në komunat e  Kamenicës, Ranilluk-ut, Suharekës dhe Prizren-it.

Po ashtu në raport është bërë e ditur se nga zjarri është përfshirë edhe një shtëpi i pabanuar, katër depo me rroba-tekstil dhe një kamion, e ndërsa dëmi i madh nga zjarri raportohet të ketë ndodhur në komunën e Kamenicës, ku janë përfshirë 10 hektarë zona pyjore.

“Fshati Karaqevë e Poshtme, Kamenicë, raportohet se rreth 10 hektarë pyll pronë publike janë përfshi nga zjarri. Zjarrfikësit janë duke tentuar të lokalizojnë zjarrin”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Ndërsa gjithmonë bazuar në raportin e Policisë së Kosovës në Fshatrat Grizime dhe Reqan të Komunës së Kamenicë dhe në Fshatrat Ropotovë dhe Rajanovc të Ranillukut raportohen se sipërfaqe të madhe e pyjeve janë përfshirë nga zjarri.

“Zjarrfikësit janë duke tentuar të lokalizojnë zjarrin”, thuhet në raport.

Më tej raportohet se në Fshatin Bllacë të Komunës së Suharekës, rreth dy hektarë sipërfaqe pyll janë të përfshira nga zjarri ku zjarri po tentohet të lokalizohet nga zjarrfikësit

Sipërfaqe të pyllit të përfshirë nga zjarri raportohen edhe në fshatrat Korishtë dhe Skorobisht të Komunës së Prizrenit dhe fshatit Pejqiq të Komunës së Skenderajt.

Në anën tjetër një qytetar në fshatin Runik të Skenderajt ka informuar Policinë e Kosovës se në rrethana të panjohura nga zjarri është përfshirë shtëpia e tij e pabanuar.

Nga zjarri raportohet se është dëmtuar një kamion të premten e 25 marsit në fshatin Shakovicë të Podujevës si dhe katër depo me rroba-tekstili në komunën e Prizrenit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore