Lajme

Përfundon stërvitja ushtarake në Krime, Rusia largon trupat


Autoritetet ruse kanë njoftuar se stërvitjet ushtarake në Krimenë e aneksuar nga Moska përfunduan.

Sipas njoftimit të Ministrisë ruse të Mbrojtjes, ushtarët po kthehen në garnizonet e tyre.

Lajmi u publikua nga Agjencia Franceze e Lajmeve (Agence France Presse).

Më herët, zyrtarët rusë të mbrojtjes lajmëruan tërheqjen e parë të njësive ushtarake nga kufijtë e Ukrainës.

Televizioni shtetëror shfaqi imazhe të njësive ushtarake që zhvendoseshin.

Moska zyrtare grumbulloi mbi 130 mijë trupa pranë kufijve të Ukrainës.

Agjencia ruse e lajmeve “Interfax” nënvizoi më 15 shkurt qëndrimin zyrtar të ministrisë se stërvitjet vazhdojnë ende në shkallë të gjerë në të gjithë vendin.

Pra, janë vetëm disa njësi të distrikteve ushtarake jugore dhe perëndimore, të cilat kanë përfunduar stërvitjet e tyre dhe kanë filluar të kthehen në baza.

Rusia nxiti frikën e një pushtimi të mundshëm, veçanërisht pas stërvitjeve të përbashkëta të Moskës me Bjellorusinë.

Më herët, ishte kryediplomati rus Sergei Lavrov, i cili këshilloi presidentin rus Vladimir Putin që të vijojë bisedimet me Perëndimin.

Kjo, lidhur me kërkesat e sigurisë së Moskës.

Kremlin-i kërkon garanci nga Perëndimi se NATO nuk do të lejojë Ukrainën dhe vendet e tjera ish-sovjetike të bashkohen si anëtarë.

Ndër të tjera, aleanca duhet të ndalojë dislokimet e armëve në Ukrainë dhe të tërheqë forcat e saj nga Evropa Lindore.

Këto kërkesa janë refuzuar kategorikisht nga Perëndimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore